Një person ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës, pasi që dyshohet se ka dhunuar fizikisht dhe ka kërcënuar me armë bashkëshorten e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin në stacionin policor të Gjakovës e ka raportuar viktima, e cila është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i cili tha se viktima me pesë fëmijët e saj është strehuar në një shtëpi të sigurtë.
“Sot, rreth orës 12:00, viktima (bashkëshortja) ka raportuar në Stacionin policor, se ishte keqtrajtuar fizikisht nga burri i saj, si dhe ishte kërcënuar me armë. Viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Mbrojtësi i viktimave ka qenë prezent. Viktima me pesë fëmijë është strehuar në një shtëpi të sigurtë”, tha Xhurkaj.
Ai bëri të ditur se i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor./Gazeta Sinjali/