Ministrja e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka reaguar pas raportimeve se ministria që ajo udhëheqë ka hequr taksën ndaj bllokave nga Serbia, shkruan Gazeta Sinjali.
Hajdari ka akuzuar mediat se po shpërndajnë dezinformata.
“Përgjigja ndaj dezinformatave nga disa portale, lidhur me shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia“, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se taksa është hequr për shkak se e njëjta ka pasur validitet si masë për pesë vite, teksa është vendosur më 2016, duke u shfuqizuar sipas saj automatikisht.
Hajdari tutje ka thënë se ministria do të ndërmarrë një hetim dhe nëse konfirmohet se po vazhdohet çmimi damping në tregun e Kosovës, masa në fjalë do të vendoset sërish.
Postimi i plotë:
Përgjigja ndaj dezinformatave nga disa portale, lidhur me shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.
Bazuar në kërkesën e shoqatës së prodhueseve të materialit ndërtimor me bazë argjilore të datës 16.03.2016, Departamenti i Tregtisë mbrenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kishte realizuar një hulumtim dhe në koordinim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe bazuar në nenin 48 të Ligjit mbi Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese më datën 07.07.2016 kishte rekomanduar dhe vendosur masën mbrojtëse antidamping prej 0,02€ për bllokat standard 19x19x25 të importuar nga Serbia. Kjo si rezultat i shitjes së produktit në tregun e Kosovës nën vlerën normale të çmimit të tregut dhe se importi i produkti në fjalë dëmtonte prodhuesit vendor në Kosovë.
Mirëpo, pasi që ky vendim i marrë më datë 07.07.2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj, së fundmi Departamenti i Tregtisë duke u bazuar edhe në interpretimin ligjor nga Departamenti Ligjor në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht nenit 46, paragrafi 2 dhe nenit 47 paragrafit 5, 6 dhe 7 të Ligjit për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, dhe pas konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse antidamping për bllokat standard 19x19x25 të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohet. Sipas nenit 46, paragrafi 2, “Çdo detyrim përfundimtar antidamping apo kundërbalancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij” si dhe nenit 47 paragrafit 7 “Masat e vendosura në bazë të kësaj procedure të skadimit mund të zgjasin deri në 5 vjet.” Prandaj duke marrë parasysh këto, kemi shfuqizuar vendimin sepse më datë 07.07.2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase.
Megjithatë, vlen të theksohet se aktualisht Departamenti i Tregtisë është duke përcjellë për së afërmi sektorin e prodhimit të materialit ndërtimor me bazë argjilore dhe është duke analizuar importin dhe çmimet e shitjes së produktit në fjalë nga Serbia dhe së shpejti do të dal me analiza konkrete. Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrim vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosim përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia./Gazeta Sinjali/