image Rohde: Paga e duhur për punonjësit e gjyqësorit është parakusht për një shtet ligjor funksional

Politikë

Rohde: Paga e duhur për punonjësit e gjyqësorit është parakusht për një shtet ligjor funksional

news image

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës, për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë nuk është mirëpritur nga zyrtarët e këtij sektori por as nga shoqëria civile. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ai Prokurorial dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti në një mbledhje urgjente vendosën që ta reduktojnë punën. Sipas vendimit të Kurtit, nga 23 nëntori, gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen një mijë euro më pak, shkruan Gazeta Sinjali.

Kundër këtij vendimi del të jetë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai një përgjigje për Gazetën Sinjali tha se pajtohet me kritikat e shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Szunyog, rreth uljes së ndjeshme të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve së fundmi.

“Paga e duhur për punonjësit e gjyqësorit është një parakusht për një shtet ligjor funksional, e në ndërlidhje me këtë edhe për progresin në procesin e përafrimit me BE-në”, u shpreh Rohde.

Ai foli edhe për procesin e luftimit të korrupsionit në Kosovë e cila thotë se është në rrugë të duhur. Por, Rohde kërkon nga Kosova përkushtim në zbatimin praktik.

I gëzohemi progresit në fushën e luftimit të korrupsionit. Në indeksin e korrupsionit të Transparency International, Kosova së fundmi është ngritur për 17 vende. Megjithatë, në të njejtën kohë, Komisioni Evropian në raportin për vitin 2022 konstatoi se Kosova ende është në një fazë të hershme të luftës kundër korrupsionit.

Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fushën e legjislacionit por ka deficite të mëdha në zbatimin praktik, si për shembull në fushën e ndjekjes penale efektive dhe atë të punës së përgjithshme gjyqësore“, tha Rohde për Sinjalin.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – për një ulje të tillë pagash – kishte reaguar edhe shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit. 

Vendimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tha se nuk po e kupton ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Për shkak të reformave që ka nisur Ministria e Drejtësisë, gjithnjë është përcjellë me probleme të ndryshme. Ne kemi nisur Vettingun, ata e kanë bojkotuar, prapë jemi takuar, sërish kanë bojkotuar”, tha Haxhiu. Ajo insiston që vendimi i qeverisë për të zvogëluar pagat kësaj kategorie është i drejtë.

Haxhiu gjithashtu kujtoi që personalisht për ligjin e miratuar nga qeveria e Haradinajt kishte iniciuar edhe proces gjyqësor, por siç tha, nuk u thirr kurrë nga Prokuroria Speciale.

Shfuqizimi i vendimit, që për Haxhiun është jo i ligjshëm, e befasoi ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ai tha se financimi adekuat dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore janë gurthemele të sistemit të sundimit të ligjit dhe kërkesa themelore të procesit integrues në Bashkimin Evropian.

Në vitin 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.

Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, u rritën edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në atë periudhë, kjo çështje ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, nga deputetë të atëhershëm të Vetëvendosjes, që ishin në opozitë.

Mirëpo, përmes një vendimi, kjo Gjykatë kishte thënë se rritja e pagave nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

/GazetaSinjali/