Samuel Kalu, sulmuesi i skuadrës franceze Bordeaux në Ligue 1, ra pa ndjenja përtokë në minutën e gjashtë të ndeshjes ndaj Olimpique Marseille, derisa Dimitri Payet përgatitej të ekzekutonte një goditje dënimi mes temperaturave të larta në “Stade Velodrome”.
Lojtarët e të dyja ekipeve nxituan për ta ndihmuar nigerianin dhe bënë thirrje për ardhjen urgjente të stafit mjekësor.
Më pas, Kalu ishte në gjendje të ngrihej dhe të dilte nga fusha me ndihmën e shokëve të skuadrës, duke mbajtur një pako akulli në kokë.
Ai rifilloi të luante disa momente më vonë, por më pas u zëvendësua në minutën e 14-të, para se ndeshja të përfundonte në barazim 2-2.
Makthi përfshiu futbollistët, stafet teknike dhe tifozët, duke pasur të freskët kolapsin shëndetësor që pësoi Christian Eriksen në fushën e blertë, gjatë ndeshjes së “Euro 2020”, Danimarkë-Finlandë.
Shkaku i incidentit është ende i paqartë, megjithatë solli kujtimet e arrestit kardiak të Eriksen në qershor, kur mesfushori danez takoi vdekjen, por u kthye në jetë nga mjekët me anë të defibrilatorit (masazhit elektrik të zemrës). Më pas përfundoi në spital, ku iu nënshtrua një operacioni në zemër.