“Në dhjetor, vetëm tifozët më optimistë ende besonin se Barça mund të fitonte kampionatin, por një fitore të enjten dhe ekipi shkon në krye të tabelës”.
Kështu e nis artikullin Barcelona të publikuar në webfaqen e tyre. Klubi katalunas ka shkruar për rikthimin spektakolar që kanë bërë në La Liga.
Janë vetëm gjashtë ndeshje të mbetura në këtë edicion të La Ligas. Për Barcelonën, janë shtatë, sepse të enjten ata përballen me Granadën në ndeshjen e mbetur të tyre. Në rast fitoreje aty, ata do të shkojnë një pikë para në krye të tabelës.
Fitorja e së dielës 2-1 në Villarreal e shoqëruar me barazimin e Real Madridit ndaj Betisit dhe humbja 2:1 e Atletico Madridit ndaj Bilbaos e vendosi Barcelonën në një pozitë më të mirë se kurrë më parë në këtë sezon.
Është një kthesë mjaft e pabesueshme kur kemi parasysh se si dukej tabela e ligës në dhjetor. Përkundër një fillimi të fortë të sezonit, Barça më pas vazhdoi me vetëm dy fitore në tetë ndeshje, duke përfshirë humbjet ndaj Getafes, Real Madridit, Atlético Madridit dhe më pas Cadizit.
Pas fundit të atyre humbjeve, 12 pikë i ndanin katalunasit nga udhëheqësi Atletico dhe jo vetëm që ekipi ishte jashtë vendeve të Champions Leagues, por ishte edhe jashtë Europa League. Madje, edhe Ronald Koeman u detyrua të pranonte që ekipi kishte humbur pothuajse të gjitha shpresat për të fituar titullin.
Kthimi prej asaj kohe ka qenë spektakolar. Barça ka fituar 20 nga 21 ndeshje që nga ajo kohë dhe humbi vetëm një, klasiken kundër Real Madridit.
Ndërkohë, të dy klubet e Madridit filluan të lëshonin pikë. Atletico ka udhëhequr që nga java e 9-të, por megjithëse dikur ishin udhëheqës të pakonkurrencë, ecuria e tyre e pabesueshme prej 15 fitoreve në 16 ndeshje përfundoi papritur në shkurt. Vetëm gjashtë fitore në 14 ndeshje do të thotë që epërsia e tyre e madhe është zhdukur e gjitha.
Takim masiv me Atletico
Real Madrid dhe Sevilla mund të fitojnë të gjitha ndeshjet, por duhet të shpresojnë që rivalët e tyre të lëshojnë pikë. Ndërsa, nuk është kështu për dy klubet e tjera.
Nëse fiton gjashtë ndeshjet e tyre të mbetura, Atletico do të jetë kampion. Por Barça tani është në të njëjtën pozitë dhe do të ketë avantazh në shtëpi kur të dy palët do të takohen në më pak se dy javë – një lojë që nuk do të vendosë titullin e kampionatit, por që do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në epilogun e këtij sezoni në La Liga./Gazeta Sinjali Sporti/