image "Rikthimi në shkolla do të ndikojë fuqishëm në shëndetin mendor të nxënësve të klasave të para dhe të dyta"

Arsim

“Rikthimi në shkolla do të ndikojë fuqishëm në shëndetin mendor të nxënësve të klasave të para dhe të dyta”

news image

Ministria e Arsimit dhe Shkencës po planifikon që nxënësit e klasave të para dhe të dyta të rikthehen në bankat shkollore më 1 shtator.

Ky rikthim po bëhet gati 6 muaj pas ndërprerjes së mësimit në institucionet arsimore për shkak të pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Por, sipas psikologut Rron Kastrati, rikthimi i nxënësve të grupmoshës 6-7 vjeç në objektet shkollore do të ndikojë fuqishëm në shëndetin e tyre mendor.

Një ndikim i tillë, vlerëson ai, mund stimulojë motivin e tyre për mësim, por edhe të shpërfaq stresin e akumuluar nga vetizolimi.

“Në cilësinë e psikologut, pas një analize të stërthelluar të situatës në këtë pandemi, supozoj se ndikon fuqishëm kthimi i fëmijëve në bankat shkollore në shëndetin mendor të tyre dhe po ashtu mendoj se ky rikthim te fëmijët stimulon motivacionin e tyre në mësime dhe në aktivitete të shumta arsimore, referuar fëmijëve të grupmoshës 6-7 vjeç. Në disa rrethana specifike mund të shpërfaqet edhe stresi i akumuluar nga karantina dhe kufizimi i lëvizjës, por që në këto raste duhet të bëhet një vlerësim psikologjik dhe social i situatave nga psikologu i shkollës”, tha ai për Gazetën Sinjali.

Andaj, psikologu paralajmëron se nxënësit e klasave të para do të kenë nevojë të vazhdueshme të përkrahjes psikoemocionale, ndihmës dhe mbështetjes që të vetëprezantohen dhe të komunikojnë lirshëm njëri me tjetrin.

Nëse këto ndihmesa dhe përkrahje emocionale ofrohen nga prindërit, mësimdhënësit dhe psikologët qysh në fillim të këtij procesi, Kastrati thotë se fëmijët do ta kenë më të lehtë përshtatjen me normat shkollore dhe sociale, sepse kështu, sipas tij, do të lehtësohet komunikimi dhe sjellja, gjersa këto sqaron se i çlirojnë ata nga shqetësimi se çfarë duhet të thonë ose si duhet të veprojnë. 

“Mendoj se kthimi i kësaj grupmoshe në bankat shkollore rrit nivelet e solidaritetit shoqëror, dhe ju dhuron fëmijëve mundësinë që ta plotësojnë boshëllëkun e shkaktuar të vetmisë ose të kufizimit të lëvizjës (njohjes me bashkëmoshatarët) me një plotësim të nevojshëm të identitetit social”, tha ai.

Kastrati këshillon që prindërit t’i mirinformojnë dhe t’ua sqarojnë qartësisht situatën fëmijëve të tyre, sidomos në rastet kur ata kanë vëlla ose motër që është në klasë më të lartë dhe të cilët, ndryshe nga 6 dhe 7-vjeçarët, do të vazhdojnë t’i ndjekin mësimet nga shtëpia.

“Edhe në këtë raport, kur fëmijët thonë se ‘pse unë po shkoj në shkollë vëllai ose motra jo’, këtu në këtë perceptim duhet të informohen qartësisht përmes sqarimeve nga mësimdhënësit dhe prindërit për situatën e krijuar dhe për rikthimin e mundshëm të vëllait ose motrës në shkollë, sepse gradualisht pas lehtësimit të masave tjera natyrisht se edhe grupmoshat e tjera do t’u rikthehen bankave shkollore. Fëmijët mund t’i kuptojnë situatat, por duhet që të shtohet kujdesi maksimal ndaj përhapjes keqinformuese dhe spekulative. Fëmijët duhet të stimulohen vazhdimisht që të përqëndrohen në mësime dhe në aktivitete psikosociale nga psikologu i shkollës”, rekomandon ai.

Një faktor tjetër që do të ndikojë në shëndetin mendor të 6 dhe 7 vjeçarëve, psikologu vlerëson se është numri i reduktuar i nxënësve në shkolla. Në situata të tilla, ai thotë se nxënësit do të ndjehen të shqetësuar dhe kureshtarë.

Sidoqoftë, Kastrati vlerëson se në anën tjetër kjo gjendje do të krijojë hapësirë më të madhe kohezive të ndëraktiviteteve, socializimit dhe njohjes më të thellë me njëri tjetrin.

“Numri i vogël i nxënësve në shkollë mendoj se fëmijët që do të kthehen në banka shkollore do t’ju ofrojë shanse që përshtatja e tyre sociale të jetë më e ekulibruar. Por që domosdoshmërisht duhet të krijohen ambiente nxitëse nga mësimdhënësit dhe po ashtu  nga psikologët shkollorë, sepse ekzistojnë një sërë strategjish që mësimnxënia të jetë më efektive dhe se komunikimi i përbashkët është çelësi kryesor në funksionimin e këtij procesi te nxënësit”, sqaron ai.

Ministria e Arsimit paralajmëroi se rikthimi i nxënësve në shkolla do të bëhet duke i respektuar të gjitha masat mbrojtëse dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Në mesin e këtyre masave është edhe mbajtja e maskave mbrojtëse. Bartja e të cilave, sipas psikologut, do të krijojë te fëmijët përshtypje të vetëkujdesit dhe këtë gjë do ta reflektojnë edhe te bashkëmoshatarët tjerë.

“Në këto procese fëmijët duhet të mirëinformohen për një kujdes të shtuar, por gjithmonë sipas një qasje psikoedukative, me ngrohtësi dhe shpjegim thelbësor. Mësimdhënësit, pedagogët dhe psikologët shkollorë duhet të qëndrojnë vazhdimisht të kujdesshëm dhe inkurajues afër, sepse këto përpjekje ndikojnë te fëmijët në reduktimin e stresit, ankthit në mësime dhe vështirësve tjera eventuale në proceset edukativo-arsimore”, thotë Kastrati.

Megjithatë, që ky proces të jetë më lehtë i pranueshëm nga fëmijët e këtyre moshave, ai thotë se është i domosdoshëm dhe urgjent organizimi i grupeve punuese për realizimin e kampanjave vetëdijësuese nga psikologët në mbarë vendin.

Këto kampanja, sipas tij, duhet të kenë qëllim ofrimin dhe gatishmërinë maksimale në mbështetje dhe përkrahje psikoemocionale, jo vetëm ndaj nxënësve, por edhe për njerëzit të cilët kanë probleme anksioze dhe depresive, si dhe atyre që e kanë të vështirë shprehjen e shqetësimeve dhe preokupimeve personale.

“Psikologët vullnetarë gjatë pandemisë COVID-19 kanë vepruar në ofrimin e ndihmës profesionale përmes linjës telefonike për përkrahje emocionale dhe këshillim psikologjik me qasje proaktive dhe reaktive, por natyrisht se kjo gadishmëri nuk mjafton tërësisht. Prandaj, tani është koha që institucionet vendore, Instituti i Shëndetit Publik dhe të gjithë akterët institucionalë duhet të angazhohen me patjetër që psikologët të përfshihen në sistemet shëndetësore, pa dallim”, përfundoi ai.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, në mesin e masave preventive që ndërmorri Qeveria e Kosovës për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit.

Dy javë më vonë, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distanca. Për klasat 1-9, mësimi u realizua nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërkaq, në shkollat e mesme, mësimdhënësit organizuan mësimin përmes programit Zoom.           

Aktualisht në Kosovë numri i viktimave nga koronavirusi ka arritur në 381, derisa janë gjithsej 3,932 raste aktive të prekura me këtë virus./Gazeta Sinjali/