Sot në Kosovë janë konfirmuar edhe 28 raste të reja me koronavirus, derisa 8 pacientë janë shëruar.
Në mesin e të infektuarve një është nga Komuna e Pejës, komunë kjo e cila e ishte shëruar plotësisht nga COVID-19 pasi që tash e dy ditë nuk kishte asnjë rast aktiv, ndërsa raste të reja pozitive nuk ishin regjistruar që nga data 10 maj.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Petrit Loci.
“Rasti i fundit është rast kontakti me komunat jashtë Pejës, por është e vështirë të dihet burimi i infeksionit. Ne nuk kishim raste aktive tash e dy ditë, ndërsa raste pozitive nuk kishim tash e disa javë. Tani kanë filluar të gjurmohen kontaktet e rastit të fundit që u konfirmua sonte”, ka thënë Loci.
Që nga fillimi i pandemisë, deri tani në Pejë janë regjistruar gjithsej 75 raste të infeksionit, 72 prej të cilëve janë shëruar, dy persona kanë vdekur, ndërsa aktiv është vetëm rasti i cili u konfirmua sonte.
Përveç Pejës, koronavirusi sonte rikthye edhe në komunën e Gjakovës, komunë kjo e cila nuk ka pasur raste të reja që nga data 18 prill.
Kujtojmë se në Kosovë, numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit është 1 mijë e 326, ku 921 prej tyre janë shëruar, ndërsa 31 persona e kanë humbur betejën me virusin./Gazeta Sinjali