Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë numëruar të gjitha votat e dërguara me postë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Bazuar edhe në rezultatin e këtyre votave, fituesja e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë 58 mandate në Kuvendin e Kosovës.
E dyta në këto zgjedhje u rendit Partia Demokratike e Kosovës e cila mori 19 mandate në Parlament, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila në këtë legjislaturë do t’i ketë 15 deputetë.
Lista Serbe do t’i ketë 10 mandate, komunitetet joserbe po ashtu 10 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këtë legjislaturë ka siguruar 8 ulëse.
KQZ ka njoftuar se nesër do të dalin rezultatet përfundimtare edhe zyrtarisht.
“Në këto momente është përmbyllur edhe numërimi i votave nga jashtë Kosovës. KQZ-ja do të shpall të enjten rezultatet përfundimtare, në ditën e 18 pas ditës së zgjedhjeve, ashtu si më 2014 dhe 2017. Pavarësisht kësaj, kjo është një kohë rekord për faktin se si në asnjë proces tjetër, kësaj radhe janë rinumëruar më shumë vendvotime (564) dhe janë numëruar më shumë se 32 mijë vota me kusht dhe rreth 57 mijë vota të ardhura përmes postës”, ka shkruar Valmir Elezi.
Por, pas shpalljes zyrtare të rezultateve nga KQZ-ja, partitë dhe kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 24 orëve. Pas PZAP-së, ankesa ata mund t’i bëjnë edhe në Gjykatën Supreme.
E këto ankesa mund ta shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, duke i hapur kështu rrugën konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ i certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit.
“KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit, si dhe kur të gjitha vërejtjet e dala që u përkasin votimit dhe numërimit janë vendosur nga Komisioni Zgjedhor për Parashtresat dhe Ankesat dhe nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme./Gazeta Sinjali/