image Reuters: Kosova blen dronë në kohën kur po përballet me trazira në veri, s’dihet për çfarë do të përdoren

Politikë

Reuters: Kosova blen dronë në kohën kur po përballet me trazira në veri, s’dihet për çfarë do të përdoren

news image

Agjencia e lajmeve “Reuters”, ka shkruar një artikull për blerjen e dronëve Bayraktar nga Kosova.

Reuters ka shkruar se “Kosova ka blerë një grumbull dronësh Bayraktar të prodhimit turk”.

Kështu e ka cituar Reuters, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte njoftuar në Facebook se në arsenalin e ushtrisë ka shtuar dhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kanë blerë si Qeveri nga Turqia.

Reuters shkruan se dronët u blenë në kohën që sipas kësaj agjencia, Kosova po përballet me trazira në veri, teksa citon postimin e Kurtit, duke shkruar se “shpenzimet e fundit të sigurisë po e bëjnë vendin më të sigurt”.

“Ai nuk dha numrin apo koston e dronëve, të parët e Kosovës, as nuk tha se për çfarë do të përdoren. Dronët Bayraktar kanë fituar popullaritet global pasi u përdorën nga ushtria e Ukrainës kundër forcave ruse”, thuhet në këtë artikull.

Reuters shkruan se “Republika 15-vjeçare po ndërton një ushtri që synon përfundimisht të ketë 5,000 ushtarë të rregullt dhe 3,000 rezervistë. Aleanca ushtarake e NATO-s ka gjithashtu më shumë se 4,500 paqeruajtës në vendin me 1.8 milionë banorë”.

“Në muajt e kaluar, Kosova është përballur me dhunën e saj më të keqe etnike në veri, ku jetojnë rreth 50,000 serbë etnikë, të cilët mbështeten nga Beogradi”.

Ndryshe, Kurti ka thanë se së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë përgëzuar oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

“Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, ka shkruar ai.

/GazetaSinjali/