image Rekord numri i fëmijëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë

Botë

Rekord numri i fëmijëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë

news image

Qeveria amerikane mblodhi gati 19 mijë fëmijë që udhëtonin të pashoqëruar përgjatë kufirit meksikan në muajin mars, njoftuan autoritetet të enjten.

Ky është numri më i madh mujor i regjistruar ndonjëherë dhe përbën një test madhor për Presidentin Joe Biden ndërsa ai po zhbën shumë prej taktikave të ashpra për emigracionin të paraardhësit të tij.

Rritja u nxit nga një shumëllojshmëri komplekse faktorësh në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore.

Kjo koinçidoi me vendimin e administratës Biden për të përjashtuar fëmijët e pashoqëruar nga fuqitë e dhëna për shkak të pandemisë, për dëbimin e menjëhershëm të shumicës së njerëzve nga vendi, pa u dhënë mundësinë të kërkojnë azil. Fëmijët tashmë u jepen “sponsorëve” në Shtetet e Bashkuara, zakonisht prindër ose të afërm, dhe u lejohet të ndjekin çështjen e tyre në gjykatat e mbingarkuara të emigracionit.

Patrulla Kufitare hasi në 18663 fëmijë të pashoqëruar gjatë muajit mars, shumë më tepër se rekordet e mëparshme prej 11475 në maj 2019 dhe 10600 në qershor 2014. Agjencia filloi publikimin e shifrave në vitin 2009. Përpara kësaj periudhe, shumica e atyre që kalonin kufirin ishin në moshë madhore.

Shifrat e marsit janë gati dyfishi i shifrave të fëmijëve të pashoqëruar të pikasur nga Patrulla Kufitare në muajin shkurt, dhe mbi pesë herë më shumë se numri i marsit 2020.

Rritja e jashtëzakonshme e fëmijëve që udhëtojnë të pashoqëruar – disa edhe në moshën 3-vjeçare – si dhe e familjeve, ka ngarkuar së tepërmi objektet e mbajtjes në kufi, të cilave nuk u lejohet të mbajnë njerëzit për më shumë se tre ditë, megjithëse shpesh veprohet kështu. Kjo ka krijuar vështirësi për qeverinë e cila po përpiqet të sigurojë hapësira dhe të punësojë staf për t’u kujdesur për fëmijët në periudhën afatgjatë, derisa të vendosen me sponsorët e tyre. /Gazeta Sinjali/