image Reja e Sami Lushtakut me ekipin e saj shpenzon mbi 1 mijë euro nga buxheti i Telekomit

Kosovë

Financa/ Reja e Sami Lushtakut me ekipin e saj shpenzon mbi 1 mijë euro nga buxheti i Telekomit

news image

Reja e Sami Lushtakut, Shehide Qerimi – Lushtaku, që është bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, ka shpenzuar më shumë se 1 mijë euro në një “workshop” treditor në dhjetor të vitit 2019, raporton Gazeta Sinjali.

Shehide Qerimi – Lushtaku që është drejtoreshë e Auditimit të Brendshëm në Telekomin e Kosovës, më 10 dhjetor të vitit të kaluar së bashku me stafin e saj prej gjashtë personave kishin shkuar në malet e Sharrit për të përpiluar një raport.

Gazeta Sinjali ka siguruar shpenzimet financiare të kryera nga reja e Sami Lushtakut së bashku me ekipin e saj.

Bashkëshortja e deputetit të PDK-së, së bashku me stafin e saj prej gjashtë personave të tjerë kishin shpenzuar fiks 1 mijë e 77 euro. Shpenzimet e Lushtakut dhe stafit të saj përfshinin akomodimin në hotel, dreka, darka, kafe për pauzë dhe shfrytëzim të sallës.

Vetëm për akomodim në hotel janë shpenzuar 420 euro gjatë dy netëve sa kanë qëndruar. Ndërkohë, që 325 euro janë shpenzuar vetëm për dreka dhe darka zyrtare në këtë “workshop”.

Afër 30 euro janë shpenzuar për kafe gjatë pauzave, ndërsa 140 euro ka kushtuar vetëm shfrytëzimi i sallës.

Bashkëshortja e deputetit të PDK-së, ishte punësuar në Telekom të Kosovës në dhjetor të vitit 2018 si zyrtare e lartë e Auditimit në këtë ndërmarrje. /Gazeta Sinjali/