image Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, në pikëpyetje edhe këtë vit

Sociale

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, në pikëpyetje edhe këtë vit

news image

Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, është një çështje tejet e rëndësishme e cila ishte planifikuar të mbahet në këtë vit, por me gjasë ky proces mund edhe të dështojë.

Hajrullah Halili, banor i Fushë Kosovës, i cili jeton që disa vite në këtë qytet, askund nuk figuron si banor i kësaj komune.

Ai dhe shumë qytetarët të tjerë nga Lugina e Preshevës që për arsye të ndryshme kanë emigruar në Fushë Kosovë, nuk kanë nënshtetësi të Kosovës.

Pronat i kam këtu prej 30 vitesh. Rrymën, ujin e mbeturinat i kam në emrin tim dhe që të gjitha i kam të paguara”, shprehet për RTV Dukagjinin, Hajrullah Halili.

Në vitin 2011, Fushë Kosova numëronte rreth 35 mijë banorë, por tani mendohet që kjo shifër të jetë dukshëm ndryshe dhe jo si është në shifrat formale.

Procesi i regjistrimit të popullsisë ishte parashikuar të bëhet gjatë vitit të kaluar, por është shtyrë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve.

Nëse ky proces do të ndodh gjatë këtij viti, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës shprehen skeptik se kjo gjë mund të ndodh.

Kryeshefi Ilir Berisha thotë se nuk kanë diskutuar ende me Qeverinë për fillimin e këtij procesi.

Së paku nëntë muaj para datës së regjistrimit duhet njoftuar procesi. ASK i ka bërë përgatitjet më herët. Pyetësorët janë në vend. Por janë disa aktivitete tjera që kërkojnë kohë të realizohen. Megjithatë, këto aktivitete nuk mund të realizohen sot pa pasur datë të regjistrimit”, tha ai.

Pos regjistrimit të banorëve, regjistrimi i popullsisë prodhon edhe një numër të madh të statistikave që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për planifikim të paktën dhjetëvjeçarë.

Edhe planifikimi buxhetor bëhet në bazë të banorëve që ka ajo komunë. Nëse të dhënat nuk janë të sakta, atëherë edhe planifikimi edhe vendimmarrje mund të jenë të gabuara”, deklaroi Shyqeri Bytyçi nga Oda e Afarizmit të Kosovës.

Në regjistrimin e vitit 2011, doli që Kosova kishte mbi 1.7 milionë banorë, pa përfshirë ata në pjesën veriore të vendit që refuzuan të merrnin pjesë në proces.

/GazetaSinjali/