image Refuzoi ftesën e Presidentes, Krasniqi: Takimi s’do të kishte efekt për draft-statutin

Politikë

Refuzoi ftesën e Presidentes, Krasniqi: Takimi s’do të kishte efekt për draft-statutin

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë sot se nuk ka marrë pjesë në takimin konsultativ të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani sepse konsideron se takimet e tilla nuk japin asnjë efekt real për çështjen e draft-statutit të Asociacionit.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të japë qëndrim zyrtar kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas tij, sot e kësaj dite ende nuk ka qëndrim.

Krasniqi tha se qëndrimi dhe rezervat e PDK-së sa i përket kësaj teme, prej preambulës deri tek nenet e fundit të draftit të prezantuar, janë të qarta dhe konkrete.

“Me gjithë respektin për presidenten dhe pozicionin që ajo ushtron, nuk kam marrë pjesë në takimin e ftuar dje për arsye se ky ka qenë vetëm një takim konsultativ, i cili nuk jep asnjë efekt real në çështjet për të cilat është menduar se duhet të diskutohet. Padyshim që ju takon liderëve institucional që të marrin përgjegjësitë të cilat ju takojnë, por ju takon pak më shumë që vërtetë të krijojnë situata ku edhe inputet tona do të kenë një efekt. Nuk besoj që na takon neve si liderë politikë që të lëshohemi në rolin e analistëve dhe të diskutojmë se çka është mirë dhe çka është keq pa pasur mundësi që ta afektojmë në çfarëdo formë një rezultat ndërlidhur me çështjen e draft-statutit të Asociacionit. Ne, sot e kësaj dite, ende nuk e dimë qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës për sa i përket statutit të asociacionit. Andaj, ai është i pari që e ka edhe përgjegjësinë kushtetuese, institucionale, ligjore që të tregojë qëndrimin e tij të vërtetë e të mos krijojë herë vetë, e herë përmes zëvendëskryeministrit apo të tjerëve duke thënë se kemi pranuar se kemi pranuar. Është e rëndësishme që ai i cili ka e përgjegjësinë për të marrë veprime ta qartësojë pozicionin e tij, sepse pozicioni ynë si PDK është i qartë”, theksoi ai.

/GazetaSinjali/