image Refugjatët pa vaksina, kompanitë prodhuese u frikësohen padive - Sinjali

Refugjatët pa vaksina, kompanitë prodhuese u frikësohen padive

news image

Dhjetëra milionë migrantëve mund t’u mohohet vaksinimi kundër COVID-19 përmes një programi global, pasi disa prodhues të mëdhenj janë të shqetësuar për rreziqet ligjore nga efektet e dëmshme anësore. Kjo bëhet e ditur nga disa zyrtarë dhe dokumenteve të brendshme nga Gavi, shoqatës bamirëse që operon programin.

Gati dy vjet pas një shfaqjes së pandemisë që tashmë ka vrarë më shumë se pesë milionë njerëz, vetëm rreth 7 për qind e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Shpërndarja e vaksinave në mbarë botën është vonuar për shkak të problemeve të prodhimit, grumbullimit nga vendet e pasura, kufizimeve të eksportit dhe burokracisë. Shumë programe janë penguar gjithashtu nga hezitimi i publikut.

Shqetësimet ligjore janë një pengesë shtesë për zyrtarët e shëndetit publikë që trajtojnë koronavirusin, edhe pse zyrtarët thonë se njerëzit e pavaksinuar ofrojnë një mjedis ideal që virusi të ndryshojë në variante të reja që kërcënojnë imunitetin e fituar me vështirësi në mbarë botën.

Shqetësimet prekin njerëzit, si ata që janë zhvendosur nga krizat në Mianmar, Afganistan dhe Etiopi, të cilët janë përtej mundësive të skemave të vaksinimit të qeverive prej nga vijnë.

Për refugjatët, migrantët dhe azilkërkuesit, si dhe njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore ose ngjarje të tjera që ua bëjnë atyre të pamundur të përfitojnë nga ndihma e qeverisë, programi global i njohur si COVAX krijoi një zgjidhje humanitare – një rezervë të fundit të vaksinave që do të administrohet nga grupet humanitare. Gavi, aleanca e vaksinave, është një partneritet publik-privat i krijuar në vitin 2000 për të promovuar vaksinimin në mbarë botën.

Por, kjo zgjidhje e ofruar nuk ka asnjë mekanizëm për kompensim. Gavi, i cili operon COVAX me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha se ata që aplikojnë për doza të vaksinës, kryesisht organizatat joqeveritare, nuk mund t’i bartin rreziqet ligjore dhe se dërgesat me vaksina mund të kryhen vetëm nëse prodhuesit e tyre e pranojnë përgjegjësinë.

Kompanitë që janë të gatshme ta bëjnë këtë, në këto rrethana ofrojnë vetëm një numër të vogël të vaksinave të programit, kjo sipas njerëzve të informuar për këtë çështje dhe bazuar në dokumente të shkruara nga stafi i Gavi-it për një takim që ishte paraparë në fund të nëntorit.

Më shumë se dy të tretat e dozave të COVAX-it kanë ardhur nga Pfizer Inc. dhe partneri i saj BioNTech SE, AstraZeneca PLC dhe Moderna Inc., tha Gavi. Moderna nuk pranoi të komentonte. AstraZeneca dhe Pfizer thanë se ishin në bisedime me Gavi-in, por nuk pranuan të komentojnë më tej. Të tre thanë se janë të përkushtuar për të bërë të disponueshme dozat për vendet më të varfra me çmime relativisht të ulëta. Pfizer tha se po bashkëpunonte drejtpërdrejt me qeveritë në Jordani dhe Liban për të dhuruar doza për refugjatët.

Për shkak të shqetësimeve, kryesisht ligjore, më pak se dy milionë doza janë dërguar deri më tani nga programi, thotë Gavi. Rreth 167 milionë njerëz rrezikojnë të përjashtohen nga programet kombëtare, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara të cituara në dokumente.

Shoqata Globale e Industrisë, Federata Ndërkombëtare e Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike (IFPMA), tha se “asnjë kompani nuk ka refuzuar të marrë në konsideratë” bartjen e rrezikut ligjor. Sidoqoftë, kjo shoqatë tha se disa firma mendonin se nuk mund ta bënin këtë pa njohuri të plotë se ku dhe si do të përdoren vaksinat.

Do të ishte e vështirë që të monitoroheshin për siguri vazhdimisht vaksinat në kampet e refugjatëve dhe dorëzimi është logjistikisht shumë sfidues dhe jo i përshtatshëm për të gjitha llojet, tha Federata Evropiane e Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike (EFPIA), e cila përfaqëson kompani të mëdha farmaceutike në Evropë.

Njerëzit mund t’ua lënë fajin vaksinave për problemet shëndetësore që do të mund t’u shfaqeshin pastaj edhe nëse ato probleme nuk lidhen me vaksinat, tha Federata Evropiane e Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike.

“Kjo më pas mund të çojë në një numër të shtuar të rasteve gjyqësore … gjatë të cilave siguria dhe efikasiteti i vaksinës do të vihej në dyshim publikisht”, tha kjo federatë.

Sipas kësaj federate, kjo mund të çojë në rritjen e hezitimit për vaksinën dhe mund të shkaktojë një rikuperim më të ngadaltë nga pandemia.

Në nivel global ka pasur pak infeksione të raportuara me COVID-19 në mesin e refugjatëve, migrantëve dhe azilkërkuesve – testimi nuk është gjithmonë sistematik dhe infeksionet mund të gjenerojnë vetëm simptoma të lehta, veçanërisht te të rinjtë.

Por, kushtet e vështira dhe kujdesi i dobët shëndetësor i ekspozojnë ata ndaj rrezikut të lartë të infeksionit. Kjo, e kombinuar me nivelet e ulëta të vaksinimit në një popullsi të lëvizshme mund të favorizojë shfaqjen e varianteve të reja, tha Mireille Lembwadio, koordinatore globale e vaksinimit në Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), një organ i lidhur me OKB-në që këshillon qeveritë dhe emigrantët.

“Lënia e tyre të pavaksinuar mund të ndihmojë në përhapjen e virusit dhe varianteve të tij në të gjithë botën”, tha ajo.

Pritja e dozave

Francois Nosten, një profesor francez që ndihmon në koordinimin e kujdesit shëndetësor për njerëzit nga Mianmari që jetojnë në kufirin me Tajlandën, është një nga ata që presin për vaksina.

Në qershor, ai bëri një kërkesë nga Buffer Humanitar për 70,000 doza.

Nosten, puna kryesore e të cilit është kërkimet për sëmundjen e malaries, pret se do t’i vijnë dozat e kërkuara.

Atij i është thënë se do të vijnë nga kompania Sinopharm dhe ai shpreson se ata mund të ndihmojnë në vaksinimin e grupeve kryesore të rrezikuara në provincën Tak të Tajlandës. Gavi tha se aranzhimet e dorëzimit janë ende duke u finalizuar.

Rreth 20,000 doza do t’u jepen njerëzve në kampe nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC), një grup humanitar që punon me Nosten, shkruan Reuters.

“Në këtë pikë, çfarëdo vaksine që mund të sigurojmë, jemi mirënjohës”, tha drejtori i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit në Tajlandë, Darren Hertz.

Ai shtoi se kjo organizatë besonte se gjasat që një pjesëtar i popullatës refugjate mund të përpiqet të ndërmarrë veprime ligjore në rast të efekteve anësore ishte “jashtëzakonisht i ulët”.

Hertz tha se IRC-ja ka marrë një pjesë të vogël donacionesh të vaksinave të aty për atyshme nga Qeveria tajlandeze dhe aktualisht po trajton shpërthime të rëndësishme në pesë nga nëntë kampet në kufi, ku janë konfirmuar rreth 3,000 raste, duke përfshirë të paktën 26 vdekje.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme tajlandeze konfirmoi se Qeveria po punonte me IRC-në për sigurimin e vaksinimeve në strehimoret përgjatë kufirit.

Organizata bamirëse e Nostenit, Border Health Foundation (BHF), është një nga tetë organizatat në mbarë botën që kanë aplikuar për të shpërndarë vaksinat nga Buffer Humanitar dhe një nga tri që do të miratohet, tha Gavi.

Ann Burton, shefe e shëndetit publik në agjencinë e OKB-së për refugjatët, UNHCR, tha se çështja e përgjegjësisë ishte një arsye pse agjencitë kanë qenë të ngadalta për të aplikuar. Programi është vonuar gjithashtu nga mungesa e përgjithshme e vaksinave dhe pengesat administrative.

Duke punuar me personat e zhvendosur, Nosten tha se do të ishte më e përshtatshme t’u jepej atyre vaksina e Johnson & Johnson, e cila ofron mbrojtje pas një doze të vetme në vend të dy dozave të nevojshme për vaksinën Sinopharm.

Por, versioni Sinopharm do të jetë “më mirë se asgjë”, tha ai.

Më shumë se 100 qeveri kombëtare kanë premtuar të ofrojnë vaksina ku është e mundur për të gjithë njerëzit e zhvendosur në territorin e tyre, tha IOM-i. Megjithatë, grupi i OKB-së thotë se migrantët dhe refugjatët shpesh përjashtohen efektivisht nga skema të tilla për shkak të pengesave administrative ose kulturore.

Në rastet kur qeveritë nuk janë përgjegjëse ose nuk kanë rënë dakord të vaksinojnë migrantët, Buffer Humanitar i COVAX-it është e vetmja mundësi. Të paktën 40 vende nuk kanë përfshirë ende migrantë e paligjshëm në programet e tyre të vaksinimit, tha IOM-i, por njëjtë si UNHCR-i nuk pranuan t’i përmendin këto vende.

Nevoja për veprim të shpejtë

Në rrethana normale, prodhuesit e barnave blejnë sigurime për të mbuluar përgjegjësinë për efektet e mundshme negative të vaksinave. Por, COVID-i i detyroi ata të zhvillonin ilaçe aq shpejt saqë disa efekte anësore, për shembull, një gjendje e rrallë e mpiksjes së gjakut në disa prej atyre që morën vaksinën AstraZeneca, u shfaqën në kohën që njerëzit merrnin këtë vaksinë.

Shumë qeveri dhe agjenci ndërkombëtare kanë krijuar skema kompensimi për të rimbursuar viktimat dhe për të shmangur proceset e gjata gjyqësore. Një ligj emergjent i Qeverisë së SHBA-së siguron imunitet ligjor për kompanitë e barnave për efektet anësore nga vaksinat e tyre kundër COVID-19, raporton REL.

Për kompanitë e barnave, pranimi i përgjegjësisë së mundshme bie ndesh me praktikën standarde.

“Prodhuesit e vaksinave përpiqen të minimizojnë rreziqet ligjore pothuajse në çdo mjedis”, tha John T. Monahan, profesor në Universitetin Georgetown.

“Standardi i artë është imuniteti i plotë nga paditë”, tha Monahan./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin