image “Reformat në arsim” lënë gjashtë shkolla pa drejtorë në Kamenicë, komuna e pranon se ka shkelje ligjore

Kosovë

Arsim/ “Reformat në arsim” lënë gjashtë shkolla pa drejtorë në Kamenicë, komuna e pranon se ka shkelje ligjore

news image

Gjashtë shkolla në Kamenicë për disa vite rresht po udhëhiqen nga drejtorë të cilët janë ushtrues detyre, nga opozita pretendojnë se Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, po u bën presion dhe shantazh atyre.

Në një dokument të siguruar nga Gazeta Sinjali figurojnë gjashtë shkolla të cilat drejtohen nga ushtrues detyre.

Personi i cili ka udhëhequr për tri mandate Kamenicën, Shaip Surdulli, ka akuzuar kryetarin aktual, Qëndron Kastratin, se gjendja e arsimit në këtë komunë është e mjerueshme. Sipas tij ka shkelje ligjore në arsim dhe administratë komunale.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Shaip Surdulli ka thënë se në Komunën e Kamenicës ka shumë punëtorë të emëruar përkohësisht me kontratë në vepër, ushtrues të detyrës së drejtorive komunale dhe ushtrues së detyrave të drejtorëve të shkollave, të cilët sipas tij mbahen nën presion psikik.

“Arsimi është në gjendje të mjerueshme në Komunën e Kamenicës. Jo vetëm arsimi por në përgjithësi menaxhimi i Komunës së Kamenicës, kurrë nuk ka qenë më keq. Nuk ka punë, punësim e zhvillim, por ka frikë e pasiguri sidomos te nxënësit, arsimtarët e prindërit. Ka shkelje ligjore sidomos në arsim e administratë komunale. Ka shumë punëtorë të emëruar përkohësisht me kontratë në vepër, ushtrues të detyrës së drejtorive komunale dhe ushtrues së detyrave të drejtorëve të shkollave, të cilët mbahen nën presion psikik” , ka thënë ish-kryetari, Shaip Surdulli.

Një mësimdhënëse (emër i njohur për redaksinë), duke folur në kushte anonimiteti, pretendon se për shkaqe politike kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, nuk i emëron si drejtor por i mban ushtrues detyre dhe iu bën presion.

Sipas saj, drejtorët që janë ushtrues detyre u vazhdohen kontratat çdo tre muaj. Ajo ka thënë se mbajtja e drejtorëve për vite me radhë ushtrues detyre dhe është shkelje ligjore.

“Është një kërkesë që me ardhjen e Kryetarit që veç kanë qenë drejtorët e shumë shkollave ushtrues detyre, për shkaqe politike për me i mbajtë nën presion, ua ka vazhduar për tre muaj pastaj ua ka bë gjashtë muaj. Çdo rregull është jashtë ligjore, të gjithë e dimë se ushtrues detyre është për shkak të mungesës së udhëheqjes apo programit, mundet deri në gjashtë muaj ta mbajë ushtrues por kryetari ka deri në dy vite drejtor ushtrues detyre, arsye kur kam folur me drejtorë është shkaku i kërcënimit, shantazhit, presionit dhe negociatat përmes drejtorëve me arrit me bë presionin edhe deri te mësimdhënësit për nënshkrimin e një kontrate të cilën e kanë arrit që një individ s’ka drejt as me nënshkru kontrata”, ka thënë ajo.

Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Arsimit në Komunën  e Kamenicës, Mirhane Morina në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se gjatë qeverisjes së Qëndron Kastatit nuk ka pasur konkurs për drejtor të shkollave, sipas saj shkaku që disa drejtorë të shkollave janë ushtrues detyre është se Komuna e Kamenicës është duke bërë reformë në arsim dhe krijimit të institucioneve arsimore dhe pas kësaj reforme do të hapen konkurset për drejtor të shkollave.

“Nuk jam e sigurt që janë 60%, (drejtorë të shkollave që janë ushtrues detyre), besoj se nuk janë 60%, por kjo ka ndodh për shkak se jemi në proces të themelimit të institucioneve arsimore fillimisht edhe në këtë situatë kemi me pas ndryshim të institucioneve aktive e për këtë nuk kemi hap konkurs për një institucion që nuk është formuar. Kemi rast kur katër shkolla që janë bashku në dy. Në qeverisjen e fundit nuk kemi pasur konkurs për drejtor shkolle”, ka  thënë Mirhane Morina.

Sipas saj mos-hapja e konkurseve për drejtor shkolle dhe lënia për vite me radhë si ushtrues detyre është në kuadër të planifikimeve që i kanë bërë në reformën në arsim.

“I kemi pa hapat që duhet me i ndjek, sepse kjo është prej hapave të fundit që duhet me u bë kur përmbyllet një proces për riorganizimin të një shkolle. Drejtorët që kanë qenë më herët edhe janë tani, por në përfundim të procesit të riorganizimit ka me pas edhe konkurs edhe kanë me u zgjedh drejtorët siç parashihet”, ka thënë Morina

Burimi i Gazetës Sinjali ka thënë se ka raste kur mësimdhënësve të cilët nuk e kanë të përfunduar masterin u janë dhënë orë të plota për ta plotësuar normën e punës ndërsa të tjerë të cilët janë të kualifikuar u duhet që të punojnë në gjashtë apo shtatë shkolla dhe nuk arrijë që ta plotësojnë normën e orëve mësimore.

“Rasti konkret është një mësimdhënës e paguan duke qëndruar në shtëpi me 20 orë ndërsa tjetëri mësimdhënës ia jep orët e matematikës në gjashtë shkolla dhe nuk ia bënë të plota 20 orë por 18. Ka raste kur një mësimdhënës pa kualifikim ia bënë orët e plota ndërsa ka mësimdhënës me master me konkurs dhe e kanë lënë me 16 ose 17 orë, dhe u bënë  mësimdhënësve kontrata afatgjate pa e pasur masterin”, ka thënë burimi i Gazetës Sinjali.

Se ndodhin shkelje ligjore gjatë përzgjedhjes së mësimdhënësve në Komunën e Kamenicës  për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Arsimit, Mirhane Morina. Ajo ka thënë se kanë angazhuar mësimdhënës që nuk e kanë të përfunduar masterin pasi sipas saj nuk kanë pasur kuadro të tjera.

“Na i kemi shumë të shpërndara shkollat, por nuk është rasti i vetëm kur një mësimdhënës detyrohet me punu në shtatë shkolla ndoshta edhe në tetë për me e mbulu normën. Ka të atillë që e kanë normën e plotë, jemi detyruar me i marrë në kohë të caktuar edhe ata që si plotësojnë kriteret në bazë të udhëzimit admisntrativ, d.m.th. i kanë përfunduar provimet e masterit dhe nuk e kanë diplomën,  neve nuk na lejohet me i angazhu, por gjithsesi ne obligohemi me ju ofru mësimin nxënësve mos me humbë orë sidomos për matematikë që është lëndë shumë me rëndësi”, ka thënë Mirhane Morina.

Gazeta Sinjali mëson se drejtori i Gjimnazit ”Ismail Qemali”, Selami Rexhepi, është dërguar në komision disiplinor dhe i njëjti përballet me presion për lirimin e pozitës.

“I bëjnë presion vazhdimisht, jep dorëheqje, ai është para mandatit, drejtori i gjimnazit punën nën presion të jashtëzakonshëm e bën vetëm pse nuk është në të njëjtin subjekt politik” ka thënë burimi i Gazetës Sinjali.

E për këtë rast ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Arsimit në Kamenicë, Mirhane Morina ka thënë se vetë ajo e ka dërguar drejtorin e gjimnazit në komision disiplinor dhe pret vendimin e këtij komisioni.

“Drejtori i Gjimnazit është në procedurë disiplinore, unë i kam shfaqë pakënaqësitë e mia si mbikëqyrëse e drejtëpërdrejtë e tij për menaxhimin e dobët të gjimnazit, për këtë arsye ai është në komisionin disiplinor dhe e presim përfundimin e procedurës nëse është pezullim apo masë disiplinore më e lehtë”, ka thënë Morina.

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka thënë se ka mësimdhënës që kanë mbetur pa u sistemuar por paguhen, ndërsa disa të tjerë janë angazhuar në biblioteka.

“Ka disa punëtorë arsimor që kanë mbetur pa u sistemuar, por paguhen. Disa i ka angazhuar në biblioteka, aktivitete sportive e pedagogjike vetëm formalisht”, ka thënë Surdulli.

Gjatë ditës së djeshme është raportuar se Drejtoria e Arsimit në qytetin e Kamenicës ka refuzuar kërkesën për ta kthyer në pozitën e mëparshme një arsimtare të Gjuhës Shqipe.

Kjo e fundit kishte bërë kërkesë që të kthehej në vendin e saj të punës, pasi që e njëjta ishte transferuar në bibliotekën e shkollës. Drejtoria e Arsimit e ka refuzuar kërkesën e saj pasi aty gjeti 8 gabime elementare drejtshkrimore.

Për të gjitha akuzat drejtuar në adresë të tij, Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një koment nga Qëndron Kastrati, por i njëjti ka qenë i paqasshëm gjatë ditës së martë./Gazeta Sinjali/