image Reçica e Shala të pikëlluar për vdekjen tragjike të Albert Krasniqit

Kosovë

Reçica e Shala të pikëlluar për vdekjen tragjike të Albert Krasniqit

news image

Ministri i Punëve dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reguar pas vdekjes së Albert Krasniqit, anëtarit të kryesisë të Rinisë së Nismës Socialdemokrate, shkruan Gazeta Sinjali.

Reçica thotë se lajmin për vdekjen e Krasniqit e ka marrë me pikëllim. Ai thotë se nuk është e lehtë humbja e një të riu “të mrekullueshëm”.

“Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen tragjike të Albertit. Nuk qenka aspak e lehtë të humbasësh një të ri të mrekullueshëm, bashkëpunëtor i zellshëm i partisë, shumë i respektueshëm dhe i përgatitur profesionalisht, siç ishte Alberti. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, familjes sonë politike dhe gjithë miqve të Albertit. Në paqe u prehsh, Albert”, ka shkruar ministri.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, tha se Krasniqi i la herët, “pikërisht në kohën kur do të fillonte një rrugëtim të ri”.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike të mikut tim, Albert Krasniqit nga Malisheva. Albert, na le shumë herët, pikërisht në kohën kur do të fillojë një rrugëtim të ri. Alberti ti ishe shembulli më i mirë i një djali me virtyte të larta. Do të kujtojë përherë miku im! Në këto momente të vështira për familjen Krasniqi bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre. Familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Albertin i shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Prehu në paqe”, ka shkruar Shala në Facebook.

Albert Krasniqi vdiq mëngjesin e sotëm në një aksident trafiku në fshatin Tërpezë të Malishevës./Gazeta Sinjali/