Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas raportimeve se liderit të tyre, Albin Kurtit dhe ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani iu është ndaluar hyrja nga serbët në Mitrovicë të Veriut.
Zëdhënësi i kësja partie, Përparim Kryeziu përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se vizita e Kurtit dhe Osmanit është realizuar.
“Kryeministri i ardhshëm i Republikës, Albin Kurti e presidentja e vendit, Vjosa Osmani kanë vizituar Mitrovicën sot. Vizita nuk është ndërprerë, por është realizuar në plotëni. Pra tubimi i paraparë është mbajtur”, ka shkruar Kryeziu.
Kryeziu ka thënë se ata nuk janë pritur nga strukturat e Listës Serbe të Beogradit duke shtuar se Kurti dhe Osmani janë antipodi i Listës Serbe.
“Atje janë mirëpritur nga qytetarët e Mitrovicës, por padyshim jo edhe nga strukturat e Listës Serbe të Beogradit që veprojnë në atë pjesë. Synimet e kësaj të fundit i njohim të gjithë, kë përfaqësojnë dhe kujt i binden. Ky reagim i tyre sot tregon më së miri se Kurti e Osmani në fakt janë antipodi edhe i Listës Serbe”, ka përfunduar Kryeziu.