Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për targat, shkruan Gazeta Sinjali.
Sveçla përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar se kanë lëshuar mbi 12 mijë targa që nga 20 shtatori kur u vendos reciprociteti dhe se nuk ka ndodhur asnjë incident.
Ndërkaq ka bërë të ditur se nga 4 tetori, çdo tabelë automjeti të Serbisë do t’ia mbulojnë shenjën shtetërore.
Ky është njoftimi i tij:
Që nga data 20 shtator është duke u zbatuar vendimi për pajisje me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë, e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Mbi 12.100 targa janë lëshuar qysh atëherë, dhe asnjë incident nuk ka ndodhur.
Sot është arritur marrëveshja në Bruksel për zbatim të përkohshëm të sistemit të afisheve ngjitëse në targat e automjeteve. Me datën 2 tetor do të largohen barrikadat që janë vendosur jashtëligjshëm e që kanë bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë tash e 11 ditë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, e cila që nga dita e parë ka ruajtur rendin dhe sigurinë në vend, më nuk do të ketë nevojë të qëndrojë aty.
Nga 4 tetori, çdo tabele automjeti të Serbisë ne ia mbulojmë shenjën shtetërore. Nuk na interesojnë të tjerat aty. Nuk ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija të Serbisë. Republika e Serbisë nuk po e njeh Republikën e Kosovës. As Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë. Pra, nevojitet njohje reciproke.
Si Ministër i Punëve të Brendshme, e falënderoj çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës për punën e palodhshme dhe profesionalizmin shembullor që kanë treguar. Ata më së miri kanë përfaqësuar shtetin tonë dhe vlerat e një shoqërie që ne duam dhe synojmë: e barabartë, e drejtë dhe demokratike.
Edhe reciprociteti i arritur sot derivon nga këto vlera, prandaj ne do ta vazhdojmë atë./GazetaSinjali/