Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reaguar pas dorëheqjes së anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit, dorëheqja e dy anëtarëve vendor të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni dhe Vjollca Krasniqit, ishte e panevojshme në këtë kohë, pasi që mandati i kësaj të fundit do të përfundonte në prill të këtij viti.
“Vlen të theksohet se anëtarët e dorëhequr nuk njihen për rol konstruktiv brenda KShC-së, për më tepër ata kanë luajtur rol aktiv në tentimin për ta ndalur monitorimin e KShC-së nga shoqëria civile dhe mediet. Dorëheqjet e tyre si kryetar dhe nënkryetare do të kishin më shumë kuptim në të kaluarën kur Agjencia pati dështuar të kryente funksionet e saj”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Kurse, tre nga anëtarët tjerë që janë dorëhequr janë ndërkombëtarë, sipas kësaj organizate nuk janë njoftuar me kohë për detyrimin sipas ligjeve të Kosovës që si zyrtarë të lartë ta deklarojnë pasurinë e tyre.
“ORCA respekton qëndrimin e tyre për ruajtje të privatësisë së tyre, por po ashtu thekson se ligjet duhen respektuar për të gjithë njëjtë. ORCA mendon se ky detyrim duhet ose të hiqet për anëtarët ndërkombëtarë në të ardhmen ose të gjenden anëtarë ndërkombëtarë që pranojnë ta deklarojnë pasurinë para se të emërohen në pozitë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ORCA-s.
Po ashtu, ORCA bëri kërkesë nga Qeveria në detyrë që të mos bëj asnjë hap tutje në drejtim të emërimit të anëtarëve të rinj sepse emërimi i tyre duhet të kalojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/