image Reagon Molliqaj pas arrestimit: Ata që nuk e mbrojnë UÇK-në, marrin pozicion kundër saj

Politikë

Reagon Molliqaj pas arrestimit: Ata që nuk e mbrojnë UÇK-në, marrin pozicion kundër saj

news image

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas arrestimit si rezultat i një aktiviteti të këtij subjekti politik pranë vendit ku po mbante konferencë Ekaterina Trendafilova, kryetare e Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta Sinjali.

Molliqaj, përmes këtij postimi, ka vlerësuar se mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës, përderisa ka shtuar se ata që nuk e mbrojnë, marrin pozicion kundër Ushtrisë Çlirimtare.

Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë”, ka shkruar ai.

Ai gjithashtu ka pasur kritika edhe për pushtetin, duke akuzuar se të njëjtit po “ia japin zemër” fraksioneve brenda policisë që sipas tij, janë kundër UÇK-së.

Ky është reagimi i parë i Molliqajt pas arrestimit nga Policia e Kosovës, gjatë një aktiviteti që partia e tij po zhvillonin pranë objektit ku mbante konferencë Trendafilova.

Postimi i plotë:

MBROJTJA E UÇK-SË ËSHTË DETYRË E KOHËS

Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt, një ndërtesë që ia gërryejnë themelin.

Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë.

Ndërkaq dhuna ndaj nesh, nuk është thjeshtë dhunë ndaj nesh. Është dhunë e mosdurimit të pushtetit sa herë që i shpaloset pozicioni i tij i gabuar.

Po ky pushtet, me këtë mënyrë të të menduarit, u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së. U ka dhënë zemër të sillen dhunshëm ndaj kujtdo që është kundër qeverisë. Prandaj dhuna e shfrenuar.

Sot mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Është detyrë e secilit. Është detyrë që do të kryhet, pavarësisht çfarë dhune nxjerrë pushteti përballë.

/GazetaSinjali/