image Reagon MSh për masat e ndërmarra kundër COVID-19

Shëndetësi

Reagon MSh për masat e ndërmarra kundër COVID-19

news image

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj masave të cilat janë ndërmarrë kundër virusit COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në Facebook, kjo ministri thotë që të gjitha masat e ndërmarra kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësor dhe Komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19, të cilat sipas tyre janë trajtuar në Komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me COVID-19, ku përfaqësohen institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës me COVID-19.

Gjithashtu në këtë postim thuhet se “Vendimi nuk kërkon domosdoshmerisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull qe është praktikuar edhe nga shtete të tjera”.

Sipas MSh-së “Vendimi parasheh lehtësim për ata me tri doza të vaksinës, për shkak të rrezikut dukshëm më të ulët për t’u infektuar, derisa shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës”.

Vendimi për masat kundër COVID-19 vlen për periudhën deri me 04 Shkurt 2022, dhe bazohet në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve./GazetaSinjali/