Pas shkarkimit të Bordit të RTK-së, ka reaguar edhe drejtori i këtij institucioni, Ngadhnjim Kastrati, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se ajo çfarë ndodhi sot me mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të bordit të RTK-së është precedent i rrezikshëm për këtë medium dhe të ardhmen e tij.
“Ajo çfarë ndodhi sot me mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të bordit të RTK-së është precedent i rrezikshëm për RTK-në, dhe të ardhmen e mediumit publik“, ka shkruar ai në Facebook.
Gjithashtu, Kastrati, ka thënë se argumentet e Armend Mujës dhe Doarsa Kicës nuk qëndrojnë, teksa ka shtuar se ky veprim është i frikshëm për demokracinë.
“Armend Muja dhe Doarsa Kica e dinë që argumentet e tyre te paraqitura para deputeteve për shkarkimin e Bordit nuk qëndrojnë, por e kanë obligim te kryejnë misionin, dhe kjo është e frikshme për demokracinë! Nesër kush e di çfarë vendimi marrin!“, ka shtuar ai.
Në këtë reagim ai ka deklaruar se RTK-ja ka pasur auditim.
Po ashtu ai tha se Raporti Financiar për 2020 është publik dhe e ka cilësuar atë si një nga raportet me notat më të mira nga auditori i pavarur.
“Unë do të jem falënderues për bashkëpunimin që kemi pasur me këtë Bord, pavarësisht tentimeve të politikës për ta komprometuar RTK-në nëpërmjet fabrikimeve dhe inskenimeve të situatave”, ka përfunduar Kastrati./Gazeta Sinjali/