Pas vendimit të ish-deputetes së PSD-së, Aida Dërguti, që të mos përfshihet në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 6 tetorit, ka reaguar kreu i këtij subjekti politik, Shpend Ahmeti.
Ahmeti deklaroi se vendimi që të mos kandidojë ka qenë personal i ish-deputetes Dërguti dhe se ajo ka qenë e qartë që vota do të jetë për PSD-në.
Ai uroi që në të ardhmen Dërguti të jetë në gjendje të përfaqësojë politikat e PSD-së edhe në Parlament, ndërsa tha se kontributin e saj aktualisht e jep edhe duke mos kandiduar për këto zgjedhje.
Kreu i PSD-së gjithashtu tha se ka qenë vullnet i partisë që të 12 deputetët e legjislaturës së fundit të kandidojë sërish, por kjo mbetet për t’u vendosur nga secili prej tyre.
“Jo Aida e tregoi edhe vet ka qenë çështje personale e saj. Ne kemi pasur dëshirë që të 12 deputetët aktualë të PSD-së të kandidojnë, megjithatë i mbetet secilit deputet veç e veç të vendosë. Aida e tha edhe sot po i shmanget çfarëdo spekulimi që vota e saj shkon për PSD-në, megjithatë e respektojmë vendimin e saj edhe krejt çka mund të them është që ne jemi të lumtur që e kemi pasur deputete Aida Dërgutin. Besoj që në të ardhmen do të të jetë në gjendje të përfaqësojë këto politika, këto qëndrime të cilat i ka pasur. Po e them edhe një herë një grua, një nënë e fuqishme në PSD besoj që ajo kontributin e jep edhe në qoftë se nuk kandidon, nuk po flas vetëm për PSD-në, ose siç e ka thënë edhe në statusin e saj, po i kthehet sovranit edhe si qytetarë do ta jep kontributin e saj”, tha Ahmeti.
Mëngjesin e sotëm, Dërguti përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook tha se për të shmangur spekulimet mediatike, ajo të votojë për kandidatët e PSD-së.
“Në këtë kohë aderimesh nëpër parti e lista zgjedhore, kur rëndom shumica e fillojnë angazhimin politik, më duhet t’ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e asnjë liste zgjedhore. Për të shmangur çdo spekulim mediatik, vota ime do të shkojë për kandidatët e PSD-së. Angazhimi im politik gjithmonë ka qenë në përputhje me bindjet e mia, pa i llogaritur rrethanat e vështira, si atëherë kur iu bashkova Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, edhe në Lëvizjen Vetëvendosje më gjatë kam qenë e angazhuar jashtë institucioneve (që nga vitit 2005) sesa brenda institucioneve (që nga viti 2014). Në momentet kur nuk kam qenë mjaftueshëm e bindur, (siç ka ndodhur që nga përfundimi i luftës e deri më 2005) edhe pse zhvillimet politike i kam përcjellë me vëmendje, nuk jam angazhuar. Kësaj radhe po i bashkohem sovranit! Ju faleminderit të gjithëve që më keni mbështetur!”, shkroi Dërguti.
Kujtojmë se Partia Socialdemokrate është në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.