Pas njoftimit të ish-ushtares së UÇK-së, Time Kadriaj, se më 18 shtator do të intervistohet nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitares, ka reaguar organizata e veteranëve të luftës.
Kryesia e OVL UÇK-së thotë se specialja do të dështojë në këtë drejtim dhe se të gjithë luftëtarët e UÇK-së, përfshirë Time Kadriaj, do të dëshmojnë pastërtinë e luftës sonë çlirimtare.
“Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht ka organizuar komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagim.
Ish-luftëtarja dhe ish deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, do të intervistohet më 18 shtator nga Gjykata Speciale në Hagë.
Me datën një gusht, vet ish-deputetja kishte bërë të ditur se do të ftohet nga Gjykata Speciale në Hagë, për t’u intervistuar.
Në Gjykatën Speciale deri tani janë paraqitur edhe shumë figura të tjera të politikës vendore, si kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, kryetari i Këshillit Kombëtarë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ish-deputetë të Kuvendit etj./Sinjali/