image Rasim Maloku e humbi betejën me ish-kryetarin e Shtërpcës: Ky është vendimi i Gjykatës lidhur me dorëzaninë

Drejtësi

Rasim Maloku e humbi betejën me ish-kryetarin e Shtërpcës: Ky është vendimi i Gjykatës lidhur me dorëzaninë

news image

Prokurori i ‘famshëm’ i rastit të njohur si “Brezovica”, Rasim Maloku, ka humbur betejën me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, të cilin Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur ta lirojë nga masa e paraburgimit bashkë me pesë të akuzuar të tjerë, pasi është paguar dorëzania, në shumë totale prej 190 mijë euro. Me këtë rast, Gjykata nuk e ka përfillur kërkesën e Malokut, i cili edhe këtë herë nuk ia arriti ta bind trupin gjykues për vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, raporton Gazeta Sinjali.

Ky vendim u nxor në seancën e 1 shtatorit, që u mbajt disa muaj pas seancës së fundit, të muajit prill, çështje kjo që ka qenë në fazën e kundërshtimit të provave, me ç’rast ka pasur në vazhdimësi parashtresa nga mbrojtësit e të akuzuarve për ndërprerjen e masës së paraburgimit apo zëvendësimit të saj. E po ashtu edhe si rezultat i ankesave të njëpasnjëshme drejtuar Gjykatës Supreme dhe nxjerrjes së vendimeve që kanë anuluar vendimet e Gjykatës së shkallës së parë, duke kthyer rastin kështu në rivendosje.

“Prokurori i Shtetit nuk arriti të konkretizojë dhe argumentojë…” – Çka thuhet në vendimin e Gjykatës

Përkundër këtyre vendimeve dhe kërkesës së Supremes për arsyetim më të plotë lidhur me mos aplikimin e masave më të buta, Maloku edhe në seancën e fundit, ka insistuar që nuk kanë pushuar arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke u arsyetuar se çdo masë tjetër është vështirë e menaxhueshme.

Megjithatë kërkesa e prokurorit që i dha famë pikërisht nisja e aksioneve që nga rasti ‘Brezovica 1’ e në vazhdimësi, nuk u aprovua dhe Gjykata vlerësoi se në këtë fazë të procedurës penale, sa i përket bazave të artikulueshme, konsideron se disa prej tyre ende ekzistojnë, derisa të tjera tashmë kanë pushuar së ekzistuari.

Në vendimin e Gjykatës, ku u shpërfill ajo që kërkoi Maloku, thuhet se rreziku i ikjes dhe kushti tjetër për rrezikun në ndikimin e dëshmitarëve, dëshmitarëve bashkëpunues apo bashkëpandehur, nuk ekzistojnë. Kjo pasi që të njëjtit tashmë kanë dhënë deklaratat e tyre, që i posedon Prokuroria dhe Gjykata dhe në rast të ndryshimit të tyre, përballen me përgjegjësi penale.

Trupi gjykues ka vlerësuar se në bazë të shkresave të lëndës, fakteve, provave dhe informacioneve të tjera që posedon Gjykata, ndaj gjashtë të akuzuarve, nuk ekziston asnjë rrethanë konkrete e as provë e vetme që e bën të arsyeshëm frikën e bazuar se me gjetjen e tyre në liri apo caktimin e ndonjë mase më të butë, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë provat apo të ndikojnë te dëshmitarët.

Ky pretendim i Prokurorit të Shtetit është refuzuar si i pabazuar dhe kjo ishte goditja tjetër e Gjykatës ndaj prokurorit Maloku, për të cilin në vendim thuhet se nuk ka arritur të konkretizojë e as të argumentojë se cili nga të akuzuarit me ndonjë fakt apo provë, ka tentuar një veprim të pretenduar ndikues ndaj dikujt.

Një propozim i tillë, duke përmendur si kusht ndikimin te dëshmitarët, Gjykata thotë se Prokurori i Shtetit, e ka bërë në mënyrë të përgjithësuar, pa asnjë bazë konkrete që e arsyeton dhe e fakton një gjë të tillë.

Si rezultat i elaborimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështje dhe fakteve konkrete, Gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit do të ishte masë e rëndë, prandaj ka vendosur se me masat e tjera alternative, mund të arrihet qëllimi i sigurimit të pranisë së të akuzuarve, në këtë rast me masën e dorëzanisë.

Kësisoj, edhe pse Maloku ka shpjeguar arsyet ligjore që sipas tij, ende nuk kanë pushuar, e për të cilat është vazhduar paraburgimi nga vendimi i fundit, i 2 gushtit, Gjykata ka konstatuar se kushti për ikjen e të akuzuarve si bazë e vetme për vazhdimin e paraburgimit, nuk ekziston, me ç’rast ka konsideruar se është përmbushur edhe kushti i dytë, si dhe kushti i tretë.

Pas mbajtjes së kësaj seance, ku Maloku nuk arriti që të bazojë dhe faktojë pretendimet e tij dhe humbi betejën me rastin e kërkesës për paraburgim, Gjykata ka nxjerrë urdhëresa të veçanta, për secilin veç e veç për dorëzani.

Kujtojmë se para se të paguhej dorëzania, familjarët e të akuzuarve janë përballur me një kurth të paprecedentë nga Policia, që me urdhër që nuk dihet akoma prej kujt ishte lëshuar, kishte sekuestruar fillimisht të hollat që ishin destinuar për t’i dorëzuar në Gjykatë.

Ndryshe, Prokuroria e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë, në rastin “Brezovica 1”, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, marrje e dhënie ryshfeti e armëmbajtje pa leje.

/GazetaSinjali/