Një bloger i shquar ushtarak rus u gjet i vdekur, siç thuhet ka bërë vetëvrasje, pasi zbuloi humbjet kolosale të Vladimir Putinit në lindje të Ukrainës. Korrespondenti pro-luftës, Andrei ‘Murz’ Morozov zbuloi se 16 mijë ushtarë u vranë në betejën për Avdiivka, e cila është kthyer në një shkretëtirë rrënojash.
Vdekja e tij – e raportuar më herët këtë mëngjes nga kanalet Z ‘Phantom of Novorossiya’ dhe ‘Soldatskaya Pravda’, ka ndezur një stuhi pyetjesh, raporton metro.co.uk.
Humbjet e Rusisë për katër muaj në Avdiivka thuhet se janë më të larta sesa në luftën 10-vjeçare të Bashkimit Sovjetik në Afganistan.
Avokati Maxim Pashkov, i cili tha se foli me Morozov mbrëmjen e kaluar, tha se ai kishte qëlluar veten.
Ai ishte autor i kanalit Telegram ‘Na shkruajnë nga Janina’, me më shumë se 100 mijë abonentë dhe ishte pjesëtar i ushtrisë ruse.
Ditën e sotme u shfaqën një sërë mesazhesh ku thuhej se autori do ‘qëllonte veten’. Ai gjithashtu u kërkoi lexuesve ‘të mos mbajnë zi’ për vdekjen e tij.
Në një shënim vetëvrasës, 44-vjeçari u ankua për përndjekje politike dhe tha se ishte i detyruar të fshinte një video nga kanali që tregonte humbjet e rusëve në rajonin e Donetskut.
Vetëm disa ditë para vdekjes së tij, Morozov zbuloi se 16 mijë rusë u vranë në Avdiivka dhe rreth 300 automjete të blinduara u shkatërruan, për të cilat ai u kritikua nga propaganduesit rusë.
Rusia mund të ketë pretenduar kontrollin e qytetit strategjik – dikur me një popullsi prej të paktën 32 mijë banorësh – por ky përparim ka ardhur me një çmim për ushtrinë, pavarësisht tërheqjes së Ukrainës.
Rreth 17 mijë ushtarë rusë u vranë midis 10 tetorit të vitit 2023, kur Rusia nisi sulmin e saj në qytet dhe 17 shkurt 2024, tha zyrtari ukrainas Dmytro Lykhovii.
Nëse konfirmohet, kjo do të thotë se Rusia ka humbur më shumë ushtarë se sa për 10 vite të luftës në Afganistan.
Ukraina tha se i tërhoqi ushtarët për t’i evakuuar ata nga rrethimi i plotë pas muajsh luftimesh të ashpra.