Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për një rast në Gjakovë ku janë zhdukur provat me qëllim të mbulimit të momentit kritik në të cilin ishte i përfshirë zyrtari policor Arban Lajqi, plumbat e të cilit jo vetëm që rrezikuan jetën e motoçiklistit, por edhe të qytetarëve përreth.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se si rezultat i kësaj, hetimet e zhvilluara nga Prokuroria Themelore në Gjakovë dhe Inspektorati Policor i Kosovës, deri më tani kanë siguruar prova të mjaftueshme për implikimin e këtyre zyrtarëve në manipulimin dhe shkatërrimin e provave, e për të cilët tashmë ka filluar zyrtarisht edhe hetimi penal.
Me kërkesë të IPK-së, Gazeta Sinjali mëson se sot janë suspenduar nga detyra këta zyrtarë policorë:
-Arban Lajqi, zyrtar policor
– Toger Ilmi Agaj, mbikëqyrës i ndërrimit në stacionin policor të Gjakovës
– Hysni Morina, zyrtar policor në stacionin policor të Gjakovës
– Tush Markaj, Major, U.D. i komandantit të stacionit policor në Gjakovë
– Shkelzen Lajqi, zyrtar policor në stacionin policor të Gjakovës
– Baredin Hoti, staf civil në stacionin policor të Gjakovës
– Adrian Lukaj, zyrtar policor në stacionin policor të Gjakovës
Përveç Arban Lajqit, gjashtë zyrtarët e tjerë dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe këto veprime i kanë ndërmarrë në bashkëkryerje, siç parashihet në nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.