Gazeta Sinjali dje ka raportuar për dy vetura që kanë bërë tejkalim të rrezikshëm në rrugën Gjilan – Prishtinë, ndërsa sot Policia e Kosovës ka njoftuar se shoferët janë gjobitur me 150 euro.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugorë ka pranuar video-inçizim dërguar nga mediat lidhur me kundërvajtjen e shkaktuar në trafik ku shihen dy vetura duke tejkaluar në vijë të plotë me çka rrjedhimisht kanë rrezikuar pjesëmarrësit tjerë në komunikacionin rrugorë.
Menjëherë veprimet policore kanë rezultuar me identifikimin e personav/vozitësit e automjeteve (veturat BMW dhe Opel Astra) me tabela 06 dhe më pas shqiptimin e gjobës për kundërvajtësit në trafik sipas Ligjit 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugorë.
Falënderojmë qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin me Policinë dhe kontributin e tyre për të mundësuar një qarkullim pa pengesa në komunikacion rrugorë dhe siguri më të madhe rrugore për të gjithë”, thuhet në njoftim.
Pamjet nga ky tejkalim i dërgoi një sinjalizues, i cili është ankuar se nga ky veprim janë rrezikuar edhe pjesëtarët e tjerë në komunikacion.