image Ramiz Kelmendi tregon postin që ia premtoi PDK-ja

Kosovë

Lobimi/ Ramiz Kelmendi tregon postin që ia premtoi PDK-ja

news image

Biznesmeni Ramiz Kelmendi që në zgjedhjet e fundit lobojë për Partinë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se atij i është premtuar pozita e zëvendëskryeministrit nga PDK-ja.

Kelmendi është duke u hetuar nga prokuroria lidhur me dyshimin për ushtrim të ndikimit tek punëtorët e ETC-së që të votojnë për partinë e tij të re. Ai mbrëmë ka thënë se detyra e tij e re nëse PDK do të fitonte zgjedhjet do të ishte zv//kryeministër dhe do të angazhohej për çështje ekonomike.

“Anëtarësimi im në PDK nuk ka qenë për interes timin por të Kosovës. Më është premtuar pozita e zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike. Koordinimi im me ministri të caktuara mund të jepte rezultatet që Kosova ka nevojë”, ka thënë Kelmendi në Interaktiv të KTV-së.

Ai thotë se dikush që është i pavarur nuk ka kohë të keqe për të lëvizur në një parti.

“PDK-ja nuk është dalë shumë keq, por ka dal ashtu siç kanë dashur qytetarët. Edhe opozita është e shëndetshme e edhe nga aty mund të kontribuohet shumë. E pata një ofertë interesante dhe mendova se mund të kontribuoj në zhvillimin ekonomik”, ka thënë ai.

Kelmendi ka thënë se s’do të jetë aktiv brenda PDK-së.

“Unë nuk do të dorëzohem pasi përvoja ime është në të mirë Kosovës. Unë deshta të largohem nga politika tërësisht. Unë mbetem në PDK por s’do të jem aktiv brenda partisë, pasi asnjëherë s’kam qenë pjesë aktive e ndonjë partie”, ka thënë Kelmendi.

Në anën tjetër gjatë ditës së djeshme një aktivist i Vetëvendosjes, kishte lënë punën në kompaninë ETC, me pretendimin se pasi ai kishte treguar se nuk do ta votonte PDK-në i është dyfishuar puna që kishte qenë duke e bërë./Gazeta Sinjali/