Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi që së fundmi është larguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe është duke e mbështetur Kadri Veselin për zgjedhjet e 6 tetorit ka treguar arsyen përse po mbështetë në fushatë PDK-në.
Ai ka treguar se kishte vendosur që të largohet nga politika në përgjithësi dhe për këtë arsyeje nuk ka kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës. Por, Kelmendi po thotë se në fushatë po e mbështetë PDK-në për shkak se sipas tij Kadri Veseli nuk e la rahat, shkruan Gazeta Sinjali.
Madje, ai ka thënë se ka pasur oferta të shumta për poste, por nuk ka treguar se nga cila parti politike.
“Unë pata vendosur që të mos merrem fare me politikë, pata shumë oferta për pozita të ndryshme, por mundem me thënë që Veseli nuk më la rahat që ta mbështesë në këtë fushatë. Ftesa ka qenë edhe e më hershme pa dhënë dorëheqje, por pasi kalojë afati për kandidim për deputet vendosa t’a mbështes PDK-në”.
“Kam qenë i ftuar edhe të jem pjesë e listës për deputet të Kuvendin të Kosovës. Por mendoj që ishte momenti që të largohem nga politika”, ka deklaruar më tutje Ramiz Kelmendi në Klan Kosova.
Në anën tjetër kandidatja për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar ditë më parë se Ramiz Kelmendi i kishte kërkuar LDK-së që të jetë zv/kryeministër i Kosovës. Por Osmani ka thënë se ajo kishte refuzuar një propozim të tillë./Gazeta Sinjali/