image Ramadani: Kemi hyrë në një etapë të re, tri javët e ardhshme janë të rrezikshme

Kosovë

Pandemia/ Ramadani: Kemi hyrë në një etapë të re, tri javët e ardhshme janë të rrezikshme

news image

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë Covid-19.

 “Situata epidemiologjike deri më sot paraqitet në kontroll duke pasur parasysh se tashmë kemi 145 raste pozitive nga 1 mijë e 963 raste të testuara. Kemi hyrë në një etapë të re në të cilën ne po bëjmë përpjekje që të ndalim numrin e rasteve pozitive, që të trajtohen sa më shumë individë që paraqiten në Klinikën Infektive dhe të ketë sa më pak viktima”, theksoi Ramadani në një intervistë të televizionin publik të Kosovës.

Siç njoftoi ai, Kosova tashmë ka hyrë në një etapë të re dhe se tri javët e ardhshmë janë tepër të rrezikshme, prandaj edhe duhet të respektohen masat e rekomanduara nga institucionet e shëndetësisë.

“Duke pasur parasysh shpërthimet epidemike dhe pandemike në botë, ne në Kosovë kemi hyrë tashmë në një etapë tjetër, tre javëshe që mund të jetë tepër e rrezikshme andaj edhe masat të cilat i kemi marrë ne me kohë dhe të cilat po zbatohen dhe disa të tjera të cilat duhet edhe të shtohen në vazhdim do të jenë të mundshme të parandalojmë sëmundjen duke pasur parasysh këtu kontributin e madh të qytetarëve dhe të çdo individi të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sipas Ramadanit numri i testeve të kryera është i mjaftueshëm.

“Testet janë të mjaftueshme krahas indikacioneve epidemiologjike”, përfundoi ai./GazetaSinjali/