Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sërish ka reaguar sot sërish ndaj deklaratave të Dritan Goxhajt, i cili u prezantua si ish-luftëtar i UÇK-së gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë, ku lexoi kërkesat e grupit koordinues të protestës.
Rama publikoi një dokument përmes një postimi në rrjetet sociale, që mban datën 21 prill 1999, që sipas tij i përket periudhës së luftës në Kosovë dhe i drejtohej Shtabit të Operacionit “Shigjeta”.
Në dokument përfshihet një dëshmi e një ish-komandanti të UÇK-së lidhur me Dritan Goxhajn.
Sipas përmbajtjes së njoftimit të publikuar nga Kryeministri, Goxhaj kishte shoqëruar në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan katër oficerë të Ushtrisë Shqiptare, të cilët iu bashkuan forcave vullnetare për luftën në Kosovë.
Dokumenti pretendon se, kur u pyet nga bashkëluftëtarët nëse do të qëndronte edhe ai në luftë, Goxhaj ishte larguar për në Tiranë, duke thënë se, “nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës”.
Rama shkruan në postimin e tij, ‘Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more’… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!”
Kryeministri theksoi se debati i tij nuk lidhet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe se nuk e hedh një pikë balte mbi flamurin e UÇK-së.
“Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, shkroi Rama në reagimin e tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!