image Rama për “The Sunday Times”: Evropianët e njohin luftën vetëm përmes Netflix-it

Shqipëri

Rama për “The Sunday Times”: Evropianët e njohin luftën vetëm përmes Netflix-it

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për “The Sunday Times” është shprehur se shqiptarët ishin afganët 30 vite më parë, ndërsa u përpoqën t’i shpëtonin regjimit të asaj kohe.

Sipas tij, evropianët e njohin luftën vetëm përmes Netflix-it, kurse për shqiptarët gjithçka ishte shumë reale.

Ai është shprehur se është shumë e vështirë për të larguar afganët dhe qytetarë të tjerë nga Afganistani.

“Duket se nuk ka një koordinues atje, nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh, nuk ka asgjë, vetëm secili për veten ”, ka thënë kryeministri Rama.

Shumë shtete po kërkojnë një pikë kontakti të përbashkët, e lëre më organizatat humanitare që nuk e dinë kujt t’i drejtohen”, ka shtuar ai.

Ende nuk ka asnjë mënyrë për t’i kaluar njerëzit nëpër porta nëse nuk jeni një shtet i madh, madje edhe për shtetet e mëdha duket mjaft e çrregullt.

Kjo është arsyeja pse të gjitha organizatat janë të bllokuara. Shtetet e mesme ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar”, është shprehur Rama.

Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ranë dakord këtë muaj për të marrë mijëra refugjatë afganë ndërsa ato vlerësohen për rivendosje në SHBA.

Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjeu që ishte përgjegjësia e tij për t’i strehuar “Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja ishin përvojë në kujtesë”.

Për dekada, nën sundimin e diktatorit Enver Hoxha, shqiptarët iu nënshtruan një represioni brutal, vendi u bë më i varfri dhe më i izoluari në Evropë, raporton TCH.

Kur regjimi komunist ra në 1990, pesë vite pas vdekjes së Hoxhës, vendi u kap nga valët e trazirave dhe dhunës.

Për ne është shumë e qartë. Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë. Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë dhe ne duhet të jemi atje si të tjerët për ne”, deklaroi ai.

/GazetaSinjali/