image Rama për gazetën gjermane: Merkel do të na mungoj

Politikë

Rama për gazetën gjermane: Merkel do të na mungoj

news image

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë në një intervistë për gazetën gjermane “Merkur”, se e gjithë Evropa, veçanërisht Ballkani Perëndimor, do ta ndjejë mungesën e kancelares Angela Merkel, që lë pushtetin pas 16 vitesh.

I pyetur nëse largimi i saj përbën një lajm të keq për planet e Shqipërisë për anëtarësim në Be, Rama tha: “Ky formulim është paksa i tepruar. Por duhet të pohoj se kancelarja ka pasur një ndjeshmëri të veçantë për çështjet tona, çka lidhet me siguri edhe me të shkuarën e saj. Kancelarja është rritur në një diktaturë komuniste, ndaj dhe ndoshta na kupton më mirë se shumëkush. Rrallëherë kam takuar tjetërkënd që të njohë aq mirë Ballkanin Perëndimor e problemet e tij. Ajo do t’i mungoj fort rajonit dhe krejt Evropës”.

Rama pranon se në fillim është ndjerë i zhgënjyer për ngecjen e procesit të anëtarësimit në BE, por sot jo më.

“Sot BE-ja nuk është më e njëjta si në kohën e themelimit të saj. Ajo është e fragmentarizuar, vuan pasojat e agjendave kombëtare dhe të interesave të papërputhshme me njëra-tjetrën. Unë besoj se që pas krizës së refugjatëve, BE-ja ndikohet fort nga kahet ekstreme të politikës. Vërtet që partitë e ekstremit të djathtë nuk janë në pushtet, por ato kanë ndikim të madh në politikat e qeverive të moderuara. Hera herës kjo bie në kundërshti me vlerat dhe parimet e BE-së”, tha Rama.

“Për ne Bashkimi Evropian është një premtim paqeje. Këtë njerëzit në Perëndim e kanë harruar, sepse falë Zotit nuk kanë parë luftë prej kohësh. Ama ne po. Ndoshta rrugëtimi i BE-së do të jetë me kthesa e pengesa edhe për ca kohë, por në finish ajo mbetet padyshim e ardhmja e kontinentit”, shtoi ai.

/Gazeta Sinjali/