image Rama në ceremoninë për policin e vrarë: Shteti do t’i shoqërojë për dore fëmijët e tij

Shqipëri

Rama në ceremoninë për policin e vrarë: Shteti do t’i shoqërojë për dore fëmijët e tij

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në ceremoninë për vënien e yllit simbolik të nënkomisar Saimir Hoxhës në murin e Kujtesës së Ministrisë së Brendshme, ku përkujtohen të gjithë efektivët e rënë në krye të detyrës.

“Ky është një moment aspak i lehtë për bashkësinë tonë, pasi humbja e jetës në krye të detyrës është një humbje tragjike që shkon përtej familjes dhe të afërmeve dhe prek shpirtin e një shoqërie dhe një vendi. Sot do vendosim yllin  e Saimirit në murin e kujtesës së Policisë së Shtetit, pranë atyre që kanë humbur jetën”.

Përtej tragjedisë së pardjeshme, ku nënkomisari i shpallur Dëshmor i Atdheut u vra teksa po kryente një kontroll në Kune Vain nga 21-vjeçari Aldi Rama, kryeministri nënvizoi faktin se “numri i rasteve tragjike vitet e fundit është më i pakët se gishtat e një dore, por statistikat nuk kanë rëndësi se edhe një jetë e vetme është tragjike”.

Rama rikujtoi edhe një herë që “fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm, do të përkujdesemi për ta deri sa të mbushin moshën e pjekurisë. 50 milionë lekët që i akorduam familjes dhe 170% e rrogës së babait nuk thonë asgjë në raport me humbjen, por është lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar për dore jo vetëm nga e ëma por edhe nga shteti”, raporton CNN.a2./Gazeta Sinjali/