Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke vlerësuar figurën e gjeneralmajorit që propozoi dje si kandidat për kreun e shtetit, thotë se Bajram Begaj nga sot bëhet gati për të qenë presidenti i ri i Republikës.
Duke kujtuar se procesi nisi me zarfet e fshehta ku socialistët dhanë propozimet e tyre për presidentin, Rama tha se janë shqyrtuar të gjithë emrat me radhë.
“Unë mund të falenderoj të gjithë anëtarët e grupit parlamentar për kontributin e dhënë në këtë proces, që është jo i lehtë, për shkak se bëhet fjalë për të identifikuar një figurë që duhet të përmbushë kërkesa shumë specifike, por në të njëjtën kohë për të garantuar respektin dhe moscenimin e të gjithë kandidatëve potencialë. Procesi që ne zhvilluam këtu në grup na dha të drejtë në fund, marrja e propozimeve nga e gjithë anëtarësia e grupit, që u vunë më pas në dispozicion të kryesisë së PS-së”.
Në fund, socialistët surprizuan kur dolën me emrin e Bajram Begajt. Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar, thotë se u zgjodh Begaj si një profil i i lartë profesional dhe që nuk ishte i përfshirë në konflikte politike.
“Një figurë me profil sa të lartë në aspektin institucional, aq dhe të paangazhuar në të gjitha përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike, gjë që na bën të ndihemi sot të lehtësuar nga barra e përzgjedhjes, si forca dominuese, që ka dhe përgjegjësinë dominuese për të udhëhequr vendin dhe na bën të ndihemi mirë me shqiptarët”, tha ai, shkruan TCh.
Aktualisht socialistët do të mbledhin votat për kandidatin Bajram Begaj. Duhen të paktën nënshkrimet e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati, që më pas do të depozitohen zyrtarisht në kuvend.
Afati i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është në ora 12:00 sot.
Në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit që propozuan socialistët. Më pas, në orën 18:00 do të nisë seanca në Kuvend.
Sot do të jetë raundi i katërt i procesit për zgjedhjen e presidentit, por i pari ku ka një kandidat, emri i të cilit depozitohet në kuvend.
Në këtë raund mjaftojnë 71 vota, që mazhoranca i ka, për të caktuar kështu pasardhësin e Ilir Metës që dorëzon detyrën më 24 korrik.