Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka folur nga Mitrovica e Veriut për incidentin për të cilin u raportua në orët e para të mëngjesit në këtë pjesë të Kosovës.
Ai fillimisht ka ftuar serbët e Kosovës që të dalin masivisht të votojnë, që të kenë një jetë më të mirë.
“Qysh keni mujt me pa serbët e Mitrovicës kanë dal masivisht me votu, po dalim për një jetë më të mirë për ta ngritë zërin”, ka thënë Rakiq.
Derisa ka folur për incidentin që ka ndodhur sot në Zveqan dhe Leposaviq, Rakiq tha se të gjithë ata që kanë emrat në listë duhet të votojnë, derisa, ka shtuar se nuk e kupton pse nuk mund të votohet me letërnjoftim serb.
“Secili duhet me kuptu që emri i secilit që është në lsitë duhet me votu, nuk e kuptoj pse nuk guxojë me votu me letërnjoftimin serb, kur emri i atij personi figuron në listë”, ka thënë Rakiq në T7.
Në Zveqan dhe Leposaviq procesi i votimit ka filluar me vonesë, pasi disa komisionerë serbë janë përplasur mes vete për mënyrën e votimit.
Disa prej tyre kanë kërkuar që votimi të bëhet me letërnjoftim serb, ndërsa disa të tjerë kanë insistuar të respektohet vendimi i KQZ-së, që në veri të Mitrovicës të votohet me letërnjoftim të Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/