Një raketë e lëshuar nga kompania e Elon Musk do të përplaset në Hënë dhe do të shpërthejë. Përforcuesi Falcon 9 u lansua në vitin 2015, por pas përfundimit të misionit të tij nuk kishte karburant të mjaftueshëm për t’u kthyer drejt Tokës dhe për këtë arsye mbeti në hapësirë. Astronomi Jonathan McDowell tha për “BBC News” se do të jetë përplasja e parë e njohur e pakontrolluar e raketave me Hënën.
Por efektet do të jenë të vogla, tha ai. Raketa u braktis në orbitë të lartë shtatë vjet më parë pasi përfundoi një mision për të dërguar një satelit të motit hapësinor.
Raketa ishte pjesë e programit SpaceX të Musk për eksplorimin e hapësirës. Që nga viti 2015, raketa është tërhequr nga forca të ndryshme gravitacionale të Tokës, Hënës dhe Diellit, duke e bërë rrugën e saj disi “kaotike”, shpjegon profesori McDowell.
“Gjatë dekadave ka pasur ndoshta 50 objekte të mëdha që ne i kemi humbur plotësisht gjurmët. Kjo mund të ketë ndodhur shumë herë më parë, thjesht nuk e kemi vënë re. Ky do të ishte rasti i parë i konfirmuar,” thotë profesor McDowell.
Përplasja do të ndodhë më 4 mars, kur raketa do të shpërthejë. Përplasja do të lë një krater të vogël artificial në sipërfaqen e hënës. Në vitin 2009 profesor McDowell dhe astronomë të tjerë kryen një eksperiment në të cilin një raketë me madhësi të ngjashme u përplas në Hënë, raporton BBC.