Mikrobiologu Lul Raka ka deklaruar se kohëve të fundit numri më i madh i rasteve me koronavirus është te rinia, të cilët pjesa më e madhe e tyre e kalojnë pa simtoma, mirëpo rrezikojnë të tjerët.
Raka tha se një herë në shekull ndodh një pandemi që e përfshinë të gjithë botën.
Sipas tij, edhe në të kaluarën ka pasur njerëz që nuk besonin se ka pandemi.
“Një pjesë e njerëzve e kanë si masë mbrojtëse duke e përdorur si ikje prej realitetit, duke e gjetur një paqe në vete, pjesa e tjetër e ka mentalitetin e ‘stupcit’ që e fut kokën në zallë. Një pjesë e njerëzve janë të prirë në teori konspirative”, tha ai.
Ai në T7 tha se frika më e madhe është ndonjë ndryshim gjenetik i virusit që do të ishte më i rrezikshëm dhe do të shkaktonte më shumë vdekje.
“Ndryshimet gjenetike të virusit e kanë bërë që ai të përhapet aq shpejt në gjithë botën. Kurse, në vjeshtë do të ballafaqohemi me dy gripe, COVID-19 dhe gripin sezonal që normal do të jetë sfiduese, por rezultati do të varet se si sillemi ne. Që nga fillimi kam thënë se në këtë luftë, nëse kryhen detyrat bashkë, atëherë numri do të bie”, tha ai. /Gazeta Sinjali/