Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka akuzuar ish-kryetarin e kësaj komune, Qëndron Kastratin, se ka qenë në dijeni për rastin e mashtrimit me tender, për të cilin sot u arrestuan tre zyrtarë komunalë dhe një biznesmen, raporton Gazeta Sinjali.
Ai shprehu shqetësimin e tij, për siç tha, faktin që Partia Socialdemokrate nuk ka nisur asnjë procedurë për këtë rast.
“Për ne, mbetet shqetësuese se si qeverisja e kaluar komunale e udhëhequr nga Partia Socialdemokrate, nuk ka nisur asnjë procedurë për rastin në fjalë edhe pse ka qenë në dijeni të plotë. Kjo për neve nënkupton se ka bazë për dyshim edhe ndaj kabinetit të ish-kryetarit edhe ndaj tij, nëse vërtetohet se me vetëdije të plotë është mundur ta mbajë në heshtje këtë rast. Këtë e bazojmë edhe në atë që kemi parë në kallëzim penal, se tre zyrtarët e arrestuar kanë potencuar kur kanë ngritur këtë kallëzim penal ndaj kompanisë në fjalë. E me ç’rast apostrofojnë emra të kabinetit të ish-kryetarit. Ky kallëzim penal është ngritur më 01 12. 2021”, tha ai në një konferencë për media.
I pari i Kamenicës tha se qysh nesër do t’i suspendojë zyrtarët e përfshirë në këtë rast./GazetaSinjali/