Qytetari nga Prishtina, Muhamer Raifi, ka bërë të ditur se komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarë të policisë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Sipas pohimeve të Raifit, më 13 nëntor 2018 ai pretendon se u rrah nga katër policë në park, nga nga aty u tërhoq zvarrë për tu dërguar në Stacionin Policor të Gjakovës ku përsëri u godit me shufër gome (pendrek). Sipas tij, disa policë kishin dalë përpara kamerave të sigurisë për të mos u regjistruar pamjet e dhunës së ushtruar ndaj tij. Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Avokatin e Popullit, institucion ky që në bazë të raporteve mjekësore e ka inicuar në Inpektoratin Policor të Kosovës, rastin e dhunës që i është bërë Raifit. Në vijim të tekstit mund të lexoni detaje ekskluzive.
Zëvendës Avokatja e Popullit, Naile Alaj, në një bisedë të drejtpërdrejtë me Gazetën Sinjali tregon se institucioni i Avokatit të Popullit ishte informuar për këtë rast nga ankesa me shkrim që kishte bërë Muhamer Raifi në kutinë e ankesave të vendosur nga Avokati i Popullit në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.
“Mekanizimi kombëtar për parandalimin e torturës, që funksionin në kuadër të institucionit të Avokatit të Popullit, viziton të gjitha vendet ku qytetarët janë të privuar nga liria. Mekanizmi gjatë vizitës që ka realizu në qendrën e paraburgimit në Pejë, ka hasur në ankesën të cilën e ka parashtruar M.R. Ai ka parashtruar ankesën e tij për shkak të dhunës që ka menduar që i është bërë nga disa policë të stacionit policor në Gjakovë. Ai ka pohuar se rasti ka ndodhur më 13.11.2018”, tha Alaj për Gazetën Sinjali.
Çka kishte pohuar Muhamer Raifi në ankesën drejtuar Avokatit të Popollit:
Sipas Avokatit të Popullit, Muhamer Raifi ka deklaruar se më 13.11.2018, rreth orës 01:00, kishte qenë në park duke pritur një shoqe kur papritur ka dëgjuar një zhurmë dhe ka vërejtur katër persona duke ikur nga vendi i ngjarjes.
Ai ka thënë se pas një minuti ka arritur policia, konkretisht katër policë të cilët kishin filluar ta godisnin në të gjitha pjesët e trupit.
Sipas pohimeve të ankuesit, policët e kanë tërhequr zvarrë përgjatë parkut, teksa atyre u janë bashkuar edhe policë të tjerë të cilët duke e goditur e kanë dërguar në stacionin policor në Gjakovë.
Sipas deklaratës së Raifit, policët kishin vazhduar ta rrihnin edhe në stacion. Sipas pohimeve të tij, aty kanë hyrë nga katër policë në qeli dhe e kanë goditur me shufra gome ndërsa disa prej tyre kanë dalë para kamerës që mos të vërehen kolegët duke e ushtruar dhunën ndaj tij, njofton zëvendës Avokatja e Popullit, Naile Alaj për Gazetën Sinjali.
Pas kësaj ankese, Alaj tregon se Muhamer Raifi është intervistuar menjëherë nga institucioni i Avokatit të Popullit, ku pala ka paraqitur dy raporte mjekësore.
Pas përfundimit të intervistimit, Avokati i Popullit ka njoftuar Inspktoratin Policor të Kosovës.
“Ai është intervistu në qendrën e paraburgimit në Pejë, pala i ka pas dëshmitë, raportet mjekësore. Dy raporte mjekëosre nga departamenti i shëndetësisë së burgjeve dhe të spitalit regjional të Pejës. Jemi bazuar në ato dy raporte dhe e kemi njoftu Inspektoratin Policor të Kosovës”, thekson Alaj.
Më pas ky institucion ka shkëmbyer email-a me IPK-në duke kërkuar të njoftohet për veprimet që do të ndërmerreshin ndaj këtij rasti.
“Më 22.02.2019, IPK e njofton Avokatin e Popullit se rasti është në hetime dhe pritet përgjigje nga Departamenti i Hetimeve”, tha Alaj për Gazetën Sinjali.
Çka bëri Inspektorati Policor për këtë rast?
Më 8 gusht 2019, IPK njofton se ka pranuar disa informacione nga Avokati i Popullit lidhur me dyshimet për tejkalim të autorizimeve policore respektivisht keqtrajtim nga disa zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Gjakovë.
“Pas mbledhjes së informacioneve nga hetuesit në konsultim me prokurorinë kompetente, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.
Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policinë e Kosovës për suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Gjakovës (një major, një kapiten, një rreshter dhe tre zyrtarë policorë)”.
Gazeta Sinjali kishte raportuar e para për suspendimin e Komandantit Kristë Gjokaj, kapiten Bekim Preniqi, rreshter Gëzim Bilekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.
Më 12 shtator, Gazeta Sinjali raportoi se është revokuar vendimi për suspendim ndaj komandantit të stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarëve të tjerë policorë.
Ndaj tyre është ushtruar Kallëzim Penal lidhur me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, ndërsa ndaj përgjegjësit në qendrën e ndalimit rëndon akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet e sigurta se përkundër dorëzimit të kallëzimit penal, në Prokurorinë Themelore të Gjakovës nuk e kanë marr parasysh trajtimin e lëndës për shkak të presionit të madh të ushtruar për mbylljen e këtij rasti. Sipas këtyre burimeve, Prokuroria Themelore tashmë ka parashtruar kërkesë në Prokurorinë e Apelit që kjo çështje të transferohet për hetim të mëtejmë në një nga prokuroritë tjera të Kosovës.
Si e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënimin për këtë vepër penale?
Ndryshe, Muhamer Raifi dyshohet se ka marrë pjesë në përleshjen me armë me policinë që ka ndodhur në nëntor të vitit 2018 në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Gjakovë. Paraprakisht në një dyqan në këtë rrugë kishte ndodhur një vjedhje. /Gazeta Sinjali/