Qentë endacak vazhdojnë të mbesin një prej problemeve më shqetësuese për qytetarët e kryeqytetit, dhe jo vetëm. Pothuajse çdo ditë në redaksinë e Gazetës Sinjali qytetarët raportojnë për sulmet që i vijnë nga ta, ku shumë herë e kanë pësuar mjaft keq.
Sot, qytetari Imer Fejza ka raportuar te Sinjali se ai dhe qeni i tij, sa herë kanë dalë për shëtitje, janë sulmuar vazhdimisht nga një grup qenësh endacak.
Fejza thotë se qeni i tij nuk është aspak i egërsuar, dhe nuk i ka sulmuar qentë e tjerë.
Ai po ashtu shtoi se është ankuar edhe në Polici, ku pretendon se për ankesën e tij nuk gjeti ndihmë dhe nga të njëjtit është njoftuar se nuk kanë të drejtë të veprojnë edhe nese e shohin që qytetari po sulmohet, sepse është rast që i takon komunës.
“Po, në Polici jam ankuar. Policia më tha se nuk kanë të drejtë me u marr me qentë e rrugës, sepse e ka komuna në dorë. Gjithashtu më thanë që t’ia vendos unë maskën qenit, ose dënimi është 500 euro. Polici më tha që edhe nese e kisha pa duke të sulmuar s’kam të drejtë me bo kurrgjë” , tha ai për Sinjalin.
Gjithashtu, qytetari i frustuar tha se për t’u marr masa duhet që së pari të ndodh një sulm me fatalitet.
“Në komunë pres të hënën me u lajmëru kismet, këtu duhet me vdek ndonjë fëmijë, apo ndonjë qytetarë që pastaj të merren masa”, shtoi qytetari.