image Qytetarët e Serbisë të shqetësuar me ngritjen e tensioneve në Kosovë, s'duan luftë

Siguri

Qytetarët e Serbisë të shqetësuar me ngritjen e tensioneve në Kosovë, s’duan luftë

news image

Qytetarët nga Serbia që jetojnë afër kufirit me Kosovën po përpiqeshin të vazhdonin me jetën e tyre të martën, pavarësisht frikës së ngritur për përshkallëzim të mëtejshëm midis dy armiqve ballkanikë të kohës së luftës.

“Çka t’ju them? Jemi të mësuar me këtë (tension). Për ne nuk është asgjë e re, kjo po vazhdon për vite. Tensionet këtu janë të pranishme për 20 vjet, e ne po jetojmë jetë normale sa të mundemi. S’kemi ndonjë koment, dhe s’kemi as pritje”, tha Zhelko Vikiq, 41-vjeç, i cili jeton në qytetin e Rashkës, Serbi.

Tensionet në veri të Kosovës mbetën të larta të martën pasi serbët ngritën më shumë barrikada dhe kundërshtuan kërkesat ndërkombëtare për të hequr ato të vendosura më herët.

Një ditë më parë Serbia vendosi trupat e saj pranë kufirit në gatishmëri të lartë ndërsa shefi i shtabit të ushtrisë u nis për në Rashkë.

Ndërkohë, oficerët e policisë së Kosovës u panë të dislokuar në zonën malore pranë një kalimi të mbyllur kufitar që ndan dy rajonet të martën.

Një tjetër banore e Rashkës, Mara Gosevac, 50-vjeçe, tha se fillimi i një lufte “nuk është zgjidhje”.

“Mendoj se nuk do të ketë (luftë). Njerëzit tanë që jetojnë atje (përtej kufirit në Kosovë) po jetojnë jetë të vështira. Nuk e kanë të lehtë. Mendoj se nuk do të shkojë deri atje (te lufta). Mendoj se presidenti ynë nuk do të lejojë që kjo të ndodhë, që njerëzit që jetojnë atje, ne këtu… Të nisësh luftën është gjëja më e lehtë, është lehtë – niseni luftën… por nuk është zgjidhje. Nuk është zgjidhje për serbët atje, e as për ne këtu. Askush nuk dëshiron të bëjë luftë”, tha ajo.

Serbia, e cila është armatosur përmes donacioneve dhe blerjeve ushtarake ruse, ka bërë kërcënime me forcë kundër ish-krahinës së saj për një kohë të gjatë.

Kosova mbetet një pikë e mundshme ndezëse në Ballkan vite pas luftës 1998-99 që përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s.

Frika nga dhuna është rritur që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia është mbështetur tek Rusia dhe Kina në përpjekjen e saj për të mbajtur pretendimin mbi të.

Tensionet në Kosovë janë rritur më tej në javët dhe muajt e fundit për disa çështje mes përpjekjeve ndërkombëtare për të rritur përpjekjet e ndërmjetësimit.

Së fundmi, serbët etnikë në veri vendosën barrikada në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish-oficeri serb të policisë së Kosovës.

Serbët në veri më parë ishin larguar nga institucionet e Kosovës, duke pretenduar se janë ngacmuar nga autoritetet e Kosovës.

Beogradi ka paralajmëruar vazhdimisht se do t’i mbronte serbët lokalë “me të gjitha mjetet” nëse ata sulmohen, raporton AP.

Qeveria e Kosovës u ka kërkuar trupave të NATO-s – të cilat u vendosën në vitin 1999 pasi aleanca transatlantike bombardoi Serbinë për t’u larguar nga Kosova – të heqin bllokadat serbe.

/GazetaSinjali/