image QKUK për vdekjen e 15-vjeçares nga Drenasi: Rasti do të hulumtohet, kemi formuar komision

Kosovë

Shëndetësi/ QKUK për vdekjen e 15-vjeçares nga Drenasi: Rasti do të hulumtohet, kemi formuar komision

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për vdekjen e Anita Mehmetit, 15-vjeçares nga komuna e Drenasit, e cila sipas babit të saj vdiq nga neglizhenca e mjekëve të Klinikës së Pediatrisë dhe asaj të Kirurgjisë së Fmijëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Por, akuzat e Rrahim Mehmetit i mohon QKUK-ja. Nga QKUK për Gazetën Sinjali kanë thënë se mjekët e këtyre klinikave kanë bërë përpjekje maksimale, por gjendje e 15-vjeçares ka qenë e rënduar. Madje, nga QKUK thonë se Anita Mehmeti të ketë qenë e hospitalizuar, përkundër që babai i saj mbrëmë për Gazetën Sinjali tregoi se asnjëra nga klinikat nuk e ka pranuar për tre ditë rresht.

“Në lidhje me interesimin tuaj për rastin në fjalë,  QKUK ju informon se përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve të Klinikës Emergjente, pacientja nuk ka arritur të mbijetoi, meqë gjendja ka qenë e rënduar. Ekipet reanimatore të emergjencës kanë bërë maksimumin.  Po ashtu, rasti në fjalë ishte konsultuar dhe kontrolluar edhe nga pediatrit dhe kirurgët e fëmijëve, por duke qenë se gjendja ishte e rënduar, më pas ishte transferuar në emergjencë për masa reanimatore siç edhe ju shpjeguam. Pacientja ka qenë e hospitalizuar, i janë bërë të gjitha ekzaminimet laboratorike dhe diagnostike”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Nga QKUK kanë thënë se rasti në fjalë do të hulumtohet, andaj njoftojnë se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka formuar një komision në përbërje të tre klinikave.

Anita Mehmeti vdiç dy ditë më parë në QKUK, ku babai i saj thotë se ishte “shëtitur” nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe asaj të Pediatrisë, pa u ndihmuar nga askush.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së 15-vjeçares, pasi babi i saj ka refuzuar që trupit të pajetë të saj t’i bëhet obduksioni.

“Unë nuk i lejova me ia bo autopsin, e kemi marrë trupin, ku me leju se ata sa ke gjallë çika nuk e merrshin në dorë, çka me leju me ma pre aty çikën”, tha mbrëmë Mehmeti./Gazeta Sinjali/