COVID-19

Të infektuar

1142

Të shëruar

871

Të vdekur

30

Shëndetësi/ “Shkova me e plotësu raportin, kur u ktheva e gjeta Anitën të vdekur”, babai nga Drenasi fajëson mjekët për vdekjen e së bijës

news image

Anita Mehmeti, 15-vjeçarja nga Fushtica e Epërme e Drenasit ndërroi jetë mbrëmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas tre ditë dhimbjesh, shkruan Gazeta Sinjali.

Babai i saj, Rrahim Mehmeti për vdekjen e vajzës së tij po i akuzon mjekët e Klinikës së Pediatrisë dhe ata të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve të cilët thotë se nuk e kanë marrë parasysh Anitën.

Mehmeti për Gazetën Sinjali ka thënë se vajzën e ka dërguar në QKUK që tre ditë dhe për tre ditë me radhë thotë se është “shëtitur” nga Kirurgjia e Fëmijëve në Pediatri, pa e ndihmuar askush.

“Që tre, katër ditë ka qenë smutë. Në Prishtinë, në QKUK e kemi çu, fillimisht në Klinikën e Pediatrisë, aty nuk e morën, e kanë çu në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve. Aty ia kanë bë një ultrazë edhe analizat ia kanë bë. Tani prej aty, na kanë thënë që vajza nuk është te na, çoje në Pediatri. Tani e kam çu në Pediatri e kanë këqyrë edhe ata, kanë thënë jo se çikën e lëshojë fuqia, villke, i bijke munim. Tani prej aty e kam kthy prapë në Kirurgji të Fëmijëve, mjektë aty më thanë që vajza nuk ka çka lyp këtu, çoje në Pediatri”, tha Mehmeti.

Babai i Anitës thotë se një mjek i Pediatrisë ia ka shkruar disa barna dhe i ka thënë që ta kthejë vajzën në shtëpi. Që të shkojë në shtëpi ai thotë se i ka thënë edhe një mjek i Kirurgjisë së Fëmijëve i cili e kishte rekomanduar që të kthehet në QKUK, nëse e sheh se po i përkeqësohet gjendja vajzës.

“Kur e kam çu në Pediatri, mjeku më tha po ia shkruj do kokrra, do ilaçe ia ka qitë sirupa edhe ec tha prej shpisë, merrja tha k’to barrna. Ia kom marr barant edhe jam shku edhe njëherë në Kirurgji, e pyeta doktorin, i thash çika nuk është mirë, mjeku më tha me shku në shpi, tha shko në shpi nëse i keqësohet gjendja hajde prapë”, rrëfeu ai.

Mehmeti thotë se vetëm pak orë më vonë është kthyer në Klinikën e Kirurgjisë me vajzën, pasi asaj thotë se i ishte përkeqësuar gjendja sërish.

“Unë jam ardhë në shtëpi prej QKU-së, banoj në Komoran, Fushticë e Epërme, Komuna e Drenasit, kur jemi ardhë çika e ka pi surupin, për një orë ashtu u kthjellë, prapë e ka lëshu takati. E kam marr me kerr temin e kam çu në Kirurgji atje”, tha ai.

Në Kirurgji thotë se ia kanë bërë edhe një ultrazë, sipas të cilit mjekët, thotë Mehmeti, konstatuan se i ka pëlcitur zorra qorre dhe duhet të operohet. Mehmeti kishte shkuar për ta plotësuar raportin për operimin e saj dhe thotë se kur është kthyer e ka gjetur Anitën të vdekur.

“Tani në Kirurgji ia kanë bë edhe njëherë ulëtrazërin edhe ka dalë që zorra qorre, sipas mjekëve. E kemi çu atje me ia jep një infuzion, një injeksion, mua më kanë thënë me shku me e plotësu raportin, kur jam kthy, vajza e vdekur. Masnej vonë dikur ia kanë bë rengenin, ka ora 2 e natës a nuk e di çka. I thash çka patë në të, tha nuk e dimë as vetë, jemi të dyshimtë, nuk po guxojmë me marrë kurrëfarë vendimi. Janë kanë me mjekë, ai Maliqi i zemrës e me doktorë krejt aty të reparteve tha nuk po guxojmë me intervenu te kjo, tha zorra qorre nuk është, zemra jo, po dyshojmë që idhza i ka pëlcit”, tha babai i të ndjerës.

Mehmeti tha se sot është varrosur vajza e tij e ndjerë, për të cilën ende nuk dihet shkaku i vdekjes, pasi ai nuk i ka lejuar që t’i bëhet autopsia e trupit të pajetë të saj.

“Unë nuk i lejova me ia bo autopsinë, e kemi marrë trupin, ku me leju se ata sa ke gjallë çika nuk e merrshin në dorë, çka me leju me ma pre aty çikën”, tha Mehmeti.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës lidhur me këtë rast, por nga zyra e mediave thanë se mund të përgjigjen vetëm nesër pasi të mbledhin informacione, sepse tani është shumë vonë.

Se tani është shumë vonë, u arsyetua edhe Drejtoresha e Pediatrisë, Drita Qosaj, anipse ajo pa e kuptuar se për cilin rast bëhet fjalë pranoi të fliste.

“Ju lutem në ora 10 në mbrëmje po thirrni për k’të. Ai fëmijë nuk ka qenë në Pediatri…Jo, jo nuk ka qenë i hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë. Ju lutem në ora 10 në mbrëmje nuk është në rregull kështu me më tregu, në këtë kohë me më shqetësu”, tha Qosaj./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin