image “QIKA” reagon për ndarjen e 100 eurove: Qeveri, çka për gratë?

Politikë

“QIKA” reagon për ndarjen e 100 eurove: Qeveri, çka për gratë?

news image

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) i ka reaguar Qeverisë së Kosovës e cila njoftoi sot se ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për muajin prill për pensionistët, punëtorët e sektorit privat e publik dhe studentët.

Këto pagesa nuk do të jepen për vajzat dhe gratë që janë të papuna, e të cilat nuk janë pensioniste apo studente.

E sipas organizatës “QIKA”, duke qenë se vetëm 15 për qind e grave në Kosovë janë të punësuara, ato vuajnë më së shumti nga varfëria dhe mungesa e qasjes në të mirat publike.

“Nga masat e reja në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të publikuara sot nga Qeveria e Kosovës do të përfitojnë vetëm të punësuarit, studentët, pensionistët, familjet në nevojë etj. Këto pagesa, që edhe ashtu më shumë duken një lëmoshë një mujore se sa zgjidhje afatgjate e problemit, nuk do të jepen për vajzat dhe gratë që nuk janë studente, të punësuara apo pensionere. Vetëm rreth 15% e grave në Kosovë janë të punësuara dhe shumica e tyre janë komplet të përjashtuara nga tregu i punës”.

“Nuk është hera e parë që në kohë krizash gratë janë ato që vuajnë më së shumti nga varfëria dhe mungesa e qasjes në të mirat publike. Nuk ka dalje nga kriza, pa dalë GRATË nga kriza”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndaj, “QIKA” ka ftuar institucionet e vendit që urgjentisht të trajtojnë varfërinë e grave dhe të përfshijnë analizën gjinore në secilën politikë që prodhojnë.

/GazetaSinjali/