image Qeveria Kurti shpërblen komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje me projekte milionëshe

Politikë

Qeveria Kurti shpërblen komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje me projekte milionëshe

news image

Instituti GAP në raportin “Ligji për Buxhet 2022”: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investimet kapitale, ka bërë të ditur se komuna e Kamenicës, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje është e para në listën e komunave që do të përfitojnë për vitin 2022.

Me 27 euro investime për kokë banori, komuna e udhëhequr nga Kadri Rahimaj lë prapa Komunën e Vitisë, të udhëhequr nga LDK-ja, me 15.65 euro për kokë banori.

Një tjetër komunë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje mbyll top-treshen e komunave që kanë përfituar më së shumti nga projektet kapitale të ministrive për vitin 2022. Bëhet fjalë për Podujevën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi që do të përfitojë investime në vlerë prej 14.54 euro për kokë banori.

Image

Projektet e reja të ministrive, që do të nisin sivjet, rreth 10.3 milionë euro, do të shpërndahen në 20 komuna. Komunat e udhëhequra nga PDK-ja (tetë komuna) do të kenë përfitimet më të mëdha në shumë, por jo në raport për kokë banori.

Nga 10.3 milionë euro, në ndarjen e projekteve të reja të ministrive në komunat sipas subjektit politik, komunat e udhëhequra nga PDK-ja (32 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 3.64 milionë euro.

Tetë komunat e udhëhequra nga LDK-ja (30 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 2.73 milionë euro nga shuma e ndarë për projektet e reja të ministrive në komuna.

Ndërsa, katër komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (11 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 2.63 milionë euro. Ato të udhëhequra nga AAK-ja (16 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 1.23 milionë euro.

Image

Nga buxheti total i ministrive, rreth 515 milionë euro janë planifikuar në projekte kapitale nga të cilat rreth 97 milionë euro do të investohen në 33 komuna. Në Buxhetin 2022, GAP-i ka vlerësuar se ka pasur pak hapësirë për projekte të reja. Mbi 86.8 milionë euro apo 89 për qind e projekteve të ministrive në komuna janë vazhdim i viteve të kaluara. Komunat e Junikut dhe Deçanit janë përfitueset më të mëdha në raport me përqindjen e tërë investimeve kapitale krahas popullsisë në dy vitet e fundit. Ndërkaq në shuma përfitueset më të mëdha do të jenë Komunat e Prizreni me 1.9 milionë euro, ajo e Prishtinës me 1.5 milionë euro, Podujevës me 1.2 milionë euro dhe Gjakovës me një milion euro.

Sa i përket investimeve në tërësi të ministrive nëpër komuna, duke i përfshirë vazhdimet e projekteve dhe projektet e reja, investimet mesatare për kokë banori te komunat e udhëhequra nga AAK-ja do të jenë më të lartat me 95.56 euro. Në komunat e udhëhequra nga LDK-ja investimet do të jenë prej 37.88 euro për kokë banori. Në të PDK-së 58.52 euro e në të Vetëvendosjes 50.29 euro.

Në vazhdimësi qeveritë në Kosovë janë kritikuar për mbështetje shtesë për komunat që udhëhiqen nga partia e cila është në pushtet.

/GazetaSinjali/