image Qeveria Kurti nuk ia lë "myzhden" askujt

Kosovë

Aktualitet/ Qeveria Kurti nuk ia lë “myzhden” askujt

news image

Gjatë ditës së sotme ka filluar shpërndarja e pagesave për qytetarët përfitues të skemës sociale, në vlerë prej 130 euro, nga masa nr.15 e Pakos Fiskale Emergjente e Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë kohë pandemie.

Lajmi fillimisht u bë i ditur nga Posta e Kosovës, përmes një postimi në Facebook, për t’u fshirë vetëm pak orë më pas.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Postën e Kosovës, për të kuptuar pse një njoftim i tillë është larguar nga faqja e tyre në Facebook, por personi që u përgjigj tha se nuk e ka idenë dhe rekomandoi që për çdo njoftim t’i drejtohemi Ministrisë së Financave, pasi tha që “puna e postës është vetëm t’i shpërndajnë paratë”.

Njoftimi i njëjtë për shpërndarjen e pagesave prej 130 eurove për skemat sociale, pasi u fshi nga Posta e Kosovës, u publikua nga Ministria e Financave dhe Transfereve.

Në njoftim thuhet se kjo ministri ka urdhëruar ekzekutimin e pagesave sipas vendimit të Qeverisë për Pakon Emergjente Fiskale dhe vendimit të Ministrit të Financave dhe Transfereve, përkatësisht masën 15 për 5,559 përfitues, pas verifikimit të një pjese të aplikacioneve dhe aprovimit të tyre.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MFT-ja ka bërë me dije se është duke u punuar intensivisht për shqyrtimin e aplikacioneve të tjera dhe se pagesat janë duke u kryer në vazhdimësi. 

“Përfituesit të cilët janë lajmëruar përmes mesazheve telefonike luten që: Tërheqjen e mjeteve ta bëjnë në Postën e Kosovës, në vijimësi dhe në kohë kur nuk ka shumë vizita apo lëvizje, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e COVID-19; dhe gjatë tërheqjes së mjeteve të respektohen rregullat e distancës sociale dhe të merren masat mbrojtëse, sipas specifikave të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

Ministria e Financave dhe Transfereve nuk është dikasteri i vetëm në Qeverinë Kurti që ka “privatizuar” të drejtën e publikimit të informacioneve.

Gazeta Sinjali ditë më parë raportoi se si Ministria e Shëndetësisë po tenton centralizimin e informimit, duke mos lejuar që drejtorët e klinikave të QKUK-së të prononcohen pa lejen e saj në media.

Pa lejen e Ministrisë së Shëndetësisë, pronocimi për media nuk po i lejohet as Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, të paktën kështu i ka thënë Gazetës Sinjali një zyrtar i këtij Instituti./Gazeta Sinjali/