image Smakiqi paralajmëron padi 100 mijë euroshe për bordin që e shkarkoi nga pozita e kryeshefit të Postës - Sinjali

Smakiqi paralajmëron padi 100 mijë euroshe për bordin që e shkarkoi nga pozita e kryeshefit të Postës

news image

Xhevdet Smakiqi është shkarkuar sot nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, tre muaj pas emërimit në këtë pozitë, raporton Gazeta Sinjali.

Smakiqi tha për Sinjalin se bordi nuk ka pasur asnjë arsyetim për shkarkimin e tij nga ky post. Por, sipas tij, ky vendim është marrë vetëm për shkak të ndryshimeve të pushtetit.

“Po, është e vërtetë (jam shkarkuar). Bordi nuk ka asnjë lloj arsyetimi (për shkarkimin tim), ndryshimet janë politike. Përndryshe, unë nuk kam asnjë muaj që kam filluar punën si drejtor”, tha ai.

“Hera e parë është që bordi ka ardhë zyrtarisht në ndërmarrje. Nuk ka pasur mundësi që të vlerësojë as punën tem. Ju shpjegova bordit për krejt pasojat që ka me i pasë ky vendim, por ishte vendim i tyre.”

Ish-kryeshefi i Postës ka paralajmëruar se do të ngrisë padi për të kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim nga bordi që vendosi për shkarkimin e tij dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj ndërmarrjeje gjatë vitit të kaluar.

“Ky vendim tërhek një padi rreth 100 mijë euro për mu dhe për 4,5 zyrtarë të shkarkuar para një viti”, paralajmëroi ai.

Për këtë çështje ai tha se nuk do të angazhojë avokat, pasi që avokat është vetë, “edhe i fortë”.

Ai thotë se pasojat e këtij vendimi do t’i bartë bordi që e mori këtë vendim dhe jo ai që u shkarkua.

“Jo, nuk jam paralajmëruar asnjë herë. Ka qenë temë shqyrtimi i pozitës së kryeshefit dhe unë ju shpjegova që jam zgjedhur në mënyrë të ligjshme, me konkurs, nuk kam pasë asnjë pengesë. Sekretari i korporatës ka dhënë opinion se çdo gjë është në rregull, por vendimi i bordit është ky që është. Ata i bartin pasojat e këtij vendimi, jo unë”, tha ai për Sinjali./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin