Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës i ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen e saj kundër kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi.
Përmes një komunikate, Qeveria në detyrë në komentin e saj thekson se shkresa e Presidencës përpos që përmban huqje elementare në raport me procedurën e referimit të kërkesave në Gjykatën Kushtetuese, po ashtu nuk plotëson as edhe të vetmin kriter minimal të pranueshmërisë të cilët parashihen me Kushtetutën e Kosovës dhe përcaktohen me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
“Qeveria në detyrë po ashtu i ka ofruar argumentet e saj në lidhje me kompetencën për nxjerrjen e vendimit të kontestuar dhe përputhshmërisë së tij me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat zbatohen drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës. Qeveria në detyrë thekson se Presidenca nuk e ka arsyetuar as edhe një pretendim të vetëm në kërkesën që ka dorëzuar, por vetëm përmend në mënyrë kaotike dispozita kushtetuese, ligjore dhe të akteve ndërkombëtare. Po ashtu, kërkesa e presidentit tregon një dështim total për të kuptuar, edhe në nivelin më elementar, konceptet bazë të fushës së të drejtave të njeriut dhe së drejtës kushtetuese”, thuhet në njoftimin e qeverisë në detyrë.
Qeveria në detyrë në fund i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të refuzojë kërkesën e Presidentit si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, sepse konsideron se dështimi për të plotësuar kriteret e pranueshmërisë dhe dështimi për të ofruar edhe një argument të vetëm substancial në lidhje me pretendimet e tij, nuk mundëson as kalimin në shqyrtim të asaj kërkese./Gazeta Sinjali/